Pesë federatave të sportit u ndahen 298 mijë euro

Prishtinë | 20 Pri 2017 | 16:34 | Nga

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot memorandume të bashkëpunimit edhe me pesë federata tjera të sportit, duke përkrahur financiarisht këto federata për realizimin e planeve për vitin 2017.

Vlera e përgjithshme e përkrahjes për pesë federatat arrin shumën e 298 mijë eurove. Me 80 mijë euro për këtë vit do të mbështetet Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, Federata e Tenisit do të përkrahet me 65 mijë euro, Federata e Ping-Pongut me 53 mijë euro Federata e Peshëngritjes me 63 mijë, ndërkaq Federata e Gjimnastikës me 37 mijë euro.

Duke nënshkruar memorandumet, MKRS-ja i ndihmon federatat për pavarësimin financiar të tyre në mënyrë që ato të sigurojnë ngritje cilësore.

Ministri Shala tha se MKRS-ja duke përkrahur federatat financiarisht, po punon për të ndihmuar sportin e Kosovës.

Po ashtu ai u shpreh se, pas investimit financiar nga ana e MKRS-së, federatat do ta kenë më të lehtë planifikimin e aktiviteteve të tyre.

MKRS-ja po punon në rritjen e përkrahjes për sportin, përmes investimeve dhe subvencionimeve të federatave, me qëllim të zhvillimit të sportit të Kosovës.

Ndërkaq, drejtuesit e federatave përkatëse e falënderuan ministrin Shala për bashkëpunimin dhe përkrahjen. Ata vlerësuan se kjo formë e bashkëpunimit mes MKRS-së dhe federatave të tyre u mundëson menaxhim më të mirë të mjeteve financiare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme