Pioli insiston: Kurrë s’e kam përmendur titullin, por Championsin

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Milani përballet me Parmën të shtunën në udhëtim.

Gara për një biletë në Champions League është bërë e fortë dhe e ashpër, dhe fitorja është alternativa e vetme për kuqezinjtë.

Trajneri i Milanit preku disa tema në prononcimin e dhënë për mediat, duke e nisur nga dueli ndaj ekipit emilian.

“Do të jetë një sfidë më e komplikuar sesa e tregon renditja, por e kemi kuptuar se ku gabuam ndaj Sampdorias dhe jemi gati të japim maksimumin nesër. Vendi i katërt është objektivi ynë, por do të më pëlqente të arrija edhe rekordin e Allegrit sa i përket ndeshjeve si trajner i Milanit. Gjithsesi, e rëndësishme është të rikthejmë ekipin në Evropën që vlen”, tha ai.

Duhet të paraqitemi shumë më mirë se në ndeshjen e fundit. Parma është një ekip fizik dhe i shpejtë. Është e vështirë të përballesh me ta, por jemi përgatitur mirë. E vlerësoj faktin që djemtë e mi ishin të zhgënjyer nga loja që zhvilluan me Sampdorian”.

“Më  vjen keq që Calabria ndodhet akoma jashtë, ai e ka merituar në fushë postin e titullarit, falë performancave të mira në të dy fazat e lojës. Uroj të kthehet sa më shpejt. Mandzukic? Mario është një person dhe futbollist i shkëlqyer, por ka qenë i pafat”.

“Fizikisht nuk është në gjendjen e tij më të mirë, ka vetëm tre ditë që stërvitet, por në aspektin e personalitetit dhe përqendrimit mund të na dhurojë kënaqësi deri në fund të kampionatit”.

“Në disa raste i kemi shkaktuar vetë problemet, por skuadra ka reaguar gjithmonë. Kemi kaluar pengesa të mëdha këtë vit, por jemi të fortë mentalisht. Ndaj Parmës duhet të luajmë me personalitet, mentalitet dhe ritëm, prej fillimit e deri në minutën e fundit”.

“Titulli? Unë nuk e kam përmendur kurrë fjalën titull. Gjithsesi, ne synojmë gjithmonë maksimumin, ky Milan e ka kualitetin për t’i fituar të gjitha ndeshjet“, deklaroi trajneri i kuqezinjve”.

Kur kanë mbetur edhe 9 ndeshje deri në fund të sezonit, Milani renditet në pozitën e dytë me 11 pikë më pak se lideri, Interi.

Të ngjashme