Planet e Ademit, “goditje” për Kosovën

Prishtinë | 05 Shk 2020 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqin, Bersant Celinën e lojtarët e tjerë ofensivë të Kosovës do t’i presë betejë jo e lehtë me Arijan Ademin më 26 mars në arenën “Toshe Proeski” në Shkup. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të takohet me Maqedoninë Veriore në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”.

Kosova ka synim ta fitojë atë ndeshje dhe të kalojë në finale të plejofit. Me fitore eventuale në finale, kualifikohet për Evropianin e këtij viti. Te Përfaqësuesja e Kosovës në futboll janë të bindur se do të shënojnë gol në Shkup, duke u bazuar në efikasitetin e ndeshjeve të fundit. Por të çahet mbrojtja e Maqedonisë Veriore megjithatë nuk pritet të jetë mision i lehtë.

Me shumë mundësi Arijan Ademi, si mesfushor defansiv, do ta dirigjojë lojën e Maqedonisë Veriore në repartin mbrojtës. Ademi, 28-vjeçar, ka po ashtu plane e synime për ndeshjen e 26 marsit, që janë të njëjta me ato të “dardanëve”.

Ademi është i lindur në Shibenik të Kroacisë, ndërsa ka prejardhje nga Maqedonia Veriore. Është prej lojtarëve më të mirë të Maqedonisë Veriore. Ademi karrierën e ka nisur te Shibeniku, ndërsa prej vitit 2010 është te Dinamo e Zagrebit, skuadra bindshëm më e madhe kroate. Kishte një periudhë huazimi te Lokomotiva, ndërsa tashmë është kapiten i Dinamos.

Ai e kishte lënë Kroacinë i pakënaqur me hapësirën dhe kishte pranuar ofertën që të luante për Maqedoninë Veriore. Derisa Kroacia luan rregullisht në ngjarje të mëdha dhe madje ka luajtur në finalen e Botërorit të fundit, Maqedonia Veriore po synon kualifikimin e parë në një ngjarje të madhe. Këtë synim e ka edhe Kosova.

Të ngjashme