Pochettino frikësohet se VAR-i do ta mbytë shpirtin e futbollit

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, frikësohet se shpirti i futbollit do të ndryshohet nga sistemi i video-ndihmës së referëve (VAR), pasi skuadra e tij ra viktimë e teknologjisë në ndeshjen e së martës mbrëma.

Arbitri akordoi penallti për Manchester Cityn nëpërmjet sistemit VAR, pasi Danny Rose luajti me dorë. Penalltinë e humbi Sergio Aguero dhe Tottenhami fitoi 1:0 në shtëpi ndaj Manchster Cityt, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, përcjell Koha Ditore shkrimin e Reuters.

Me gjithë fitoren, Pochettino nuk ka mundur të fshehë pakënaqësinë ndaj sistemit që do të futet në funksion edhe në Premier League nga stinori i ardhshëm.

Derisa dora e Roset vërtet kishte prekur topin, ndërsa tentoi të bllokonte një gjuajtje të Raheem Sterlingut, asnjë lojtar i Cityt nuk kishte apeluar për penallti, një dëshmi në vete që vendimi ishte shumë i vështirë për t’u marrë dhe i debatueshëm.

Pochettino thotë se me rregulla të futbollit ka mundur të jetë penallti, por rregullat në atë se çfarë përbën loja me dorë janë të hapura për t’u interpretuar.

Të ngjashme