Pochettino ka humbur besimin e lojtarëve

Prishtinë | 08 Tet 2019 | 10:01 | Nga Ekonomia Online

Starti i mjerueshëm i Tottenhamit ka vazhduar me humbje vikendin e fundit nga Brightoni (3:0), kurse burime brenda klubit londinez kanë bërë të ditur se futbollistët kanë filluar të lodhen nga qasja e trajnerit Mauricio Pochettino. Ekipi që arriti në finalen e Ligës së Kampionëve edicionin e shkuar, nuk ka arritur të fitojë në udhëtim që nga 20 janari i këtij viti, bilanci më i keq i një skuadre në Premier League.

Burimet kanë shtuar se ekipi po ndihet i tradhtuar për shkak se është i mbingarkuar dhe i nënvlerësuar me paga në krahasim me lojtarët e rivalëve të tjerë në Angli, që luftojnë për kreun e tabelës. “Gjithçka është shndërruar në regjim nga Pochettino dhe futbollistët janë lodhur nga ky trajtim. Pochettino kërkon që t’i bëjë gjërat sipas mënyrës së tij, kurse futbollistët po ndihen të tradhtuar në këtë aspekt. Asgjë nuk po funksionon si duhet brenda zhveshtores, gjithçka është prishur dhe nuk ka atmosferë të mirë”, ka thënë burimi brenda Tottenhamit, shkruan sot Koha Ditore.

Christian Eriksen kishte kërkuar me ngulm largimin para fillimit të këtij edicioni, por nuk ia doli të largohet. Jan Vertonghen ka paralajmëruar se nuk do ta rinovojë kontratën kur i skadon në fund të këtij edicioni, derisa Danny Rose ka kohë që dëshiron të largohet nga ekipi. I pasigurt për të ardhmen e tij te Tottenhami ka filluar të jetë edhe sulmuesi Harry Kane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme