Pos telasheve me racizëm, Mali i Zi goditet edhe nga lëndimi i lojtarit kryesor

Prishtinë | 16 Pri 2019 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i ka telashet e saj me lëndime të lojtarëve. Por telashet e Kosovës duken të vogla në krahasim me ato të Malit të Zi, kundërshtarit të ardhshëm të Kosovës.

Mali i Zi e pret Kosovën në Podgoricë më 7 qershor, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”. Malazezët në atë ndeshje ndaj “dardanëve” do të paraqiten pa lojtarin kryesor dhe liderin, sulmuesin Stevan Jovetiq. Jovetiq që është kapiten i Malit të Zi, është prej lojtarëve me më së shumti paraqitje te kjo përfaqësuese e re dhe golashënuesi bindshëm më i mirë. Por 29-vjeçari me karrierë të madhe në futbollin evropian, në vitet e fundit ka vuajtur për shkak të disa lëndimeve të rënda. Një të tillë e pësoi në fundjavë dhe pritet të pauzojë të paktën deri në nëntor. Jovetiq aktualisht është lojtar i Monacos, ndërsa ka bërë karrierë të suksesshme edhe te Fiorentina, Manchester City, Interi e Sevilla, shkruan sot Koha Ditore.

Jovetiq për herë të dytë në karrierë ka këputur ligamentet e gjurit dhe duhet t’i nënshtrohet një operimi.

Pritet të mungojë gjashtë deri në tetë muaj, pra nuk do të paraqitet në asnjërën ndeshje kualifikuese ndaj Kosovës. Jovetiq këtë edicion është paraqitur në tetë ndeshje në Ligue 1 të Francës, ndërsa ka shënuar dy gola. Për herë të parë luajti tri ndeshje rresht në këtë edicion, por në të fundit pësoi lëndim të ri që do ta mbajë gjatë jashtë fushës.

Të ngjashme