Prekazi: Kosova tokë e talenteve, jemi më mirë se Shqipëria

Prishtinë | 01 Pri 2018 | 09:39 | Nga

Trajneri i Kosovës U-21, Rafet Prekazi ishte i ftuar në një lidhje direkte nga Mitrovica, në emisionin ‘Zona Gol’, mbrëmjen e të shtunës në Supersport. Shpresave kosovare morën një sukses të dyfishtë në eliminatoret e Europianit, pasi në dy ndeshjet e muajit Mars regjistruan një fitore dhe një barazim, këtë të fundit ndaj kampionëve në fuqi të botës, Gjermanisë U-21.

Vlen të përmendet se 21-vjeçarët e Kosovës janë në garë për t’u kualifikuar në Europianin e 2019-ës, ndërsa për këtë dhe shumë të tjera në lidhje me futbollin, Prekazi u përgjigj në Supersport.

A ka dallim mes talenteve shqiptarë të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë?

Prekazi: Për më të suksesshëm as që diskutohet, pasi lojtarët e Kosovës prej vitesh kanë luajtur në nivele të larta dhe këtu i referohem Vokrrit, Prekazit, etj. Kosova është realisht toka e talenteve dhe ka shumë lojtarë që mund të bëjnë emër në futboll. Te ne futbolli ende luhet nëpër rrugë, pasi nuk ka kushte, por për t’u përmirësuar, duhet shumë punë. Gjithsesi, Kosovë apo Shqipëri, jemi të gjithë shqiptarë dhe nuk duhet t’i mëshojmë të tilla dallimeve. Duhet të jemi të vetëdijshëm që të punojmë me të rinjtë, sepse koha punon dhe duhet të shumë punë dhe angazhim për të garuar në Europë.

Pra mendoni se Kosova ka futbollistë më kualitativë…

Prekazi: Ne i përcjellim të gjithë emisionet sportive në Shqipëri dhe kemi një konsideratë mjaft të madhe për futbollin atje, por edhe për specialistët. Tani po bashkëpunoj edhe me trajnerët shqiptarë, që janë trajnerë në Vala Superligë. Sa i përket lojtarëve, mendoj që Kosova ka më shumë lojtarë që luajnë në akademi mjaft prestigjoze të botës. Unë personalisht kam mbi 40 lojtarë të ditëlindjes 98-99, që luajnë në akademitë e Bayernit, në Milano, apo shumë të tjera me emër në Europë. Gjithsesi nuk duhet të ekzistojnë ndasitë, pasi jemi të gjithë shqiptarë.

Cilat janë strategjitë që duhet të ndjekë futbolli në Shqipëri dhe Kosovë?

Prekazi: Duhet punuar shumë me futbollistët. Nëse do të futesha në detaje teknike, ne duhet të përgatisim lojtarë mbrojtës, pasi kjo është pikë e dobët jo vetëm për ne, por edhe Kombëtaren e Shqipërisë. Futbolli fillon nga mbrojtja dhe nëse nuk ke lojtarë teknikë aty mbrapa, nuk mund të organizosh lojën. Ne si shqiptarë jemi gjaknxehtë dhe dimë të nxjerrim në pah grintën, por nuk mund të garohet vetëm me grintë, pasi duhet vënë në punë edhe cilësia.

A keni pasur përplasje me Shqipërinë, sa i përket lojtarëve të grumbulluar?

Prekazi: Unë mund t’ju them me bindje se nëse një lojtar ka sadopak talent dhe mendon të përfaqësojë Shqipërinë, askush nga ne nuk tenton t’i ndryshojë mendjen. Së fundi unë ftova Sahitin, por më tha se do shkonte te Shqipëria dhe i urova shumë fat. Lojtarët mund të zgjedhin kë të duan, sepse të dyja janë skuadra shqiptare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme