Presidentë të KO-së të Rajonit dhe panelistë të shumtë diskutuan në Samitin e tretë Rajonal të SIGA-s

Prishtinë | 10 Dhj 2019 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Aleanca Globale për Integritetin Sportiv (SIGA) organizuan Samitin e tretë Rajonale të SIGA-s, i cili u mbajt sot në Hotel Sëiss Diamond në Prishtinë, në prani të përfaqësuesve të shumtë Rajonal, si dhe përfaqësuesve nga federatat sportive dhe studentë nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit.

Samitin e tretë e bënë edhe më madhështor prania e presidentëve të Komitetit Olimpik të Hungarisë, Krisztian Kulcsar, ai i Rumanisë, Mihal Claudio Covaliu, i Malit të Zi, Dusan Simonoviq dhe presidenti i KO të Shqipërisë, Viron Bezhani.

Hapja e Samitit u bë nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe shefi ekzekutiv i SIGA-s, Emanuel Medeiros, të cilët folën për rëndësinë që ka mbajtja e një Samiti të tillë.

Duke folur për integritetin në sport, presidenti Hasani theksoi se SIGA është një organizatë e cila ka rritjen më të madhe në rrafshin ndërkombëtar, ndërsa është e hapur për organizatat qeveritare dhe joqeveritare, që t’i bashkohen kësaj platforme për të pasur një sport me integritet për organizatat kredibile dhe një qeverisje të mirë.

Shefi ekzekutiv i SIGA-s, Medeiros duke falënderuar dhe përgëzuar edhe një herë KOK-un dhe presidentin Hasani për organizimin e shkëlqyer të këtij Samiti, tha se KOK-u është udhëheqës i vërtetë global për Integritetin në Sport. “Nëse ne duam të fitojmë betejën për integritetin në sport, ju duhet të na ndihmoni ne”, tha ndër të tjera i pari i SIGA-s.

Samiti u zhvillua në formë panelesh. Paneli i parë që drejtohej nga nënpresdenti i KOK-ut, Memli Krasniqi përbëhej nga: presidentët e Komiteteve Olimpike Kombëtare të Hungarisë (Krisztian Kulcsar), Rumanisë (Mihal Claudio Covaliu), Shqipërisë (Viron Bezhani), si dhe anëtaret e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Shqipe Bajçinca-Brestovci, profesoreshë e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit dhe Besire Domaniku, ish-pingpongiste. Ata diskutuan për temën: “Lufta për integritet dhe mbroje atë në fushën e lojës”. Panelistët folën për rëndësinë që ka integriteti në sport në vendet e tyre, për përvojat e tyre në karrierën sportive etj.

Për “Integritetin sportiv dhe bashkëpunimin rajonal”, diskutuan panelistët: Besim Hasani, president i KOK-ut, Emanuel Medeiros, shef ekzekutiv i SIGA-s dhe Dusan Simonoviq, president i KO të Malit të Zi. Presidenti Hasani theksoi bashkëpunimin e frytshëm që ka KOK-u me Komitetet tjera Olimpike Kombëtare, ndërsa konfirmoi se institucioni që drejton do t’iu përmbahet dhe do t’i aplikojë vlerat dhe principet e KON-it dhe SIGA-s.

“Parandalimi i trafikimit të fëmijëve dhe abuzimet në sport”, ishte njëra nga temat që zgjoi kureshtjen e të pranishmëve. Për këtë temë kontribut dhanë: Emanuel Medeiros, Ramadan Ahmeti nga Drejtoria e Policisë së Kosovës, Naim Bilalli, organizata “Terre des Hommes” (organizatë për të Drejtat e Fëmijëve), si dhe McKenzie Carmack, vullnetare. Paneli u drejtua nga Elda Gjoka, këshilltare strategjike e presidentit të KOK-ut, Besim Hasani. Përmes identifikimit të rasteve të ndryshme, panelistët bënë thirrje për parandalimin e trafikimit të fëmijëve dhe abuzimeve në sport.

“Balancimi gjinor, diversiteti dhe përfshirja në sport” ishte tema e fundit në të cilën diskutuan panelistët: Shasivar Haxhijaj, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe anëtar i Komisionit për Barazi Gjinore të Komitetit Olimpik të Evropës, si dhe Njomëza Emini, presidente e Komitetit Paralimpik të Kosovës, të cilët trajtuan gjendjen momentale të barazisë gjinore në të dyja institucionet që drejtojnë. Derisa Emini theksoi se në Komitetin Paralimpik gjendja nuk është e kënaqshme, sekretari i përgjithshëm Haxhijaj deklaroi tha se nga në KOK nga 27 bursisë Olimpike, 11 janë femra, kurse në 5 vjet të anëtarësimit të KOK-ut në KON, prej 11 medaljeve të fituara, 9 sosh i kanë fituar femrat. Paneli u drejtua nga Shqipe Bajcinca-Brestovci.

Në përmbyllje të Samitit u shkëmbyen dhurata, ndërsa moment i veçantë ishte dekorimi i presidentit Besim Hasani me titullin “Ambasador për prosperitet dhe promovimin e vlerave të Kosovës dhe shqiptarëve”, titull ky që iu dha nga kryetari i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare, Tahir Shabani. Krejt në fund, me iniciativë të shefit ekzekutiv të SIGA-s, Medeiros u mbajt një minutë heshtje për viktimat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Krahas këtij Samiti, KOK dje organizoi edhe forumin global “SIGA talks”, ndërsa një vit më parë kishte organizuar edhe Samitin e parë Rajonal të SIGA-s.

Të ngjashme