Presidenti i Brescias insiston se skuadra e tij nuk do të luajë këtë stinor

Prishtinë | 12 Pri 2020 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i klubit të Serie A së Italisë, Brescia, Massimo Cellino ka paralajmëruar se nuk do të lë skuadrën e tij të vazhdojë garat edhe nëse kjo nënkupton reduktim të pikëve.

Stinori 2020-21 është pezulluar një muaj më parë shkaku i koronavirusit dhe Italia mbetet e mbyllur, por këto masa pritet të zbuten më 4 maj.

Në atë datë, lojtarët pritet t’i kthehen stërvitjeve në grupe të vogla, ndërsa ideja është që të rinisë kampionati më 31 maj.

“Unë e përsërisë se nëse vendosin që të luhet sërish, atëherë unë thjeshtë nuk do të lë skuadrën time të luajë”, ka thënë Cellino për “Giornale di Brescia”. “Mund të na heqin pikë nëse duan, unë do të marrë gjitha përgjegjësitë”.

Brescia dhe Bergamo janë goditur rëndë nga kriza e COVID-19. Ka pasur pamje shokuese ku kamionët e ushtrisë kanë bartë arkivolet në rajone tjera, pasi krematoriumet në këtë vend ishin të ngarkuara.

Cellino edhe më herët ka insistuar se nuk do të luajë skuadra e tij. Brescia pas 26 xhirove në Serie A zë vendin e fundit me 16 pikë.

Pasi situata ka nisur të zbutet, ndonëse ende po ka nga 550 deri 600 vdekje në ditë, Cellino nuk e sheh se si mund të rinisin garat. Ai madje ka kritikuar kreun e Lazios, Claudio Lotito që po dëshiron të vazhdohet stinori në Serie A.

“Unë shoh tepër egoizëm dhe shumë njerëz po mundohen të shfrytëzojnë në maksimum këtë situatë. Lotito dëshiron të kthehet në fushë? Unë dëgjoj vetëm ata që meritojnë të dëgjohen. Unë nuk e di madje edhe nëse Lotito përfaqëson Lazion, pasi e shoh atë vetëm si president të bordit të drejtorëve të klubit. Sa i përket Federatës së Futbollit të Italisë dhe presidentit Gabriele Gravina, ata duhet të përqendrohen më tepër në situatën financiare të klubeve e më pak në paraqitje televizive”, ka thënë Cellino.

Të ngjashme