Presidenti i FIFA-s zotohet se do t’i përkrahë projektet e FFK-së, flet për Vokrrin e stadiumin kombëtar

Prishtinë | 30 Sht 2022 | 16:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka quajtur Kosovën vend special e të bekuar për shkak të talenteve që ka në futboll, raporton Ekonomia Online.

Ai në një konferencë për medie bashkë me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i ka garantuar atij përkrahjen për projektet e këtij institucioni.

 Infantino foli edhe për stadiumin kombëtar që e quajti krenari dhe simbol për vendin.

“Më leni të them që është kënaqësi dhe nder që jam në Kosovë dhe të takohem me presidentin e FFK-së, Agim Ademi. Kosova u bë anëtare e FIFA-s në vitin e parë timin si president. U takova me krerët e shtetit, me të gjithë komunitetin futbollistik në vend”.

“Ju falënderoj të gjithëve që e promovoni sportin. Kosova është vend special, shumë i ri. Është vend i bekuar nga futbolli kur shikon talentin që ka. Biseduam për stadiumin kombëtar për këtë vend, që do të ishte krenari dhe simbol për këtë vend”, u shpreh Infantino.

Tutje, ai e kujtoi edhe Fadil Vokrrin, ish-kryetarin e ndjerë të FFK-së, i cili ishte meritorë që Kosova të jetë pjesë e FIFA-s.

“Dua të kujtoj personin që e kam njohur që ka bërë shumë për vendin, për futbollin, që e kam njohur menjëherë pasi u bëra president i FIFA-s. Gjëja e parë që bëra kur erdha këtu ishte të vizitoja shtatorin e Vokrrit dhe stadiumin që mban emrin e tij”.

Kurse Ademi ardhjen e të parit të FIFA-së e cilësoj si një ditë speciale duke shtuar që FIFA do t’i përkrah gjithmonë projektet e FFK-së, raporton EO.

“Është një ditë speciale për Kosovën, sigurisht për neve edhe me speciale për komunitetin e futboll, jemi te nderuar shumë si federatë, si Kosovë. Ne diskutuam për futbollin, më së shumti për projektet, i pa projektet të cilat i kemi me FIFËN dhe sigurisht se FIFA do të jetë në vazhdimësi ajo e cila do ti përkrah projektet e tjera të ardhshme të cilat i kemi”, tha Ademi.

Infantino është pritur në aeroportin e Prishtinës nga presidenti I FFK-së, Agim Ademi, ndërkohë që vizitën e vazhdoi me homazhe tek shtatorja e legjendës “Fadil Vokrri” ku më pas u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani si dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Të ngjashme