Presidenti i Lyonit sërish sulmon ligën franceze

Prishtinë | 24 Maj 2020 | 17:11 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Lyonit, Jean-Michel Aulas ka sulmuar sërish Ligën Franceze të futbollit (LFP) që ka vendosur të mos e vazhdojë stinorin në Ligue 1 shkaku i koronavirusit. Aulas e ka quajtur këtë vendim “budallallëk”.

Aulas ka folur pasi La Liga të shtunën ka marrë drejtën e gjelbër nga qeveria spanjolle për të rifilluar garat. Ndeshjet në Spanjë me gjasë do të rifillojnë më 12 qershor, sipas presidentit të La Ligas, Javier Tebas.

“Në dy muajt e fundit, zyrtarët spanjolle kanë vëzhguar situatën dhe kanë punuar me UEFA-n”, ka thënë Aulas për “L’Equipe”. “Është paradoksale se Javier Tebas, në veçanti, ka marrë pjesë në takimet e njëjta që mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i ligës franceze Didier Quillot, veçanërisht në atë të 23 prillit. Në fakt, në atë takim është thënë nga UEFA se duhet të kemi durim. Kur e kupton se zyrtarët tanë kanë marrë pjesë në atë takim dhe kanë dal me vendim tjetër, atëherë mund të ndjesh se jemi vërtetë tepër budallenj”.

Liga franceze ka vendosur të mbyllë parakohshëm stinorët në Ligue 1 dhe Ligue 2, ndërsa Lyoni ka mbetur në vendin e shtatë në renditje dhe i është mohuar kualifikimi në kupat evropiane nëpërmjet ligës. Apeli që ka bërë Lyoni në tribunalin administrativ është refuzuar të premten, por tash pritet të bëjë apel edhe në Këshillin Shtetëror, së bashku me Amiensin e Toulousen, që janë larguar nga elita.

I pyetur nëse do të reagonte njëjtë nëse Lyoni do të kishte qenë në pozitën që e kualifikon në Ligën e Kampionëve, Aulas ka thënë: “Betohem se po, betohem me jetë të fëmijëve të mi”.

Të ngjashme