Presidenti i UEFA-s përgëzon FFK-në për punën dhe sukseset e arritura

Prishtinë | 01 Qer 2019 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Në prag të finales së sotme të Ligës së Kampionëve në Madrid, presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka zhvilluar një takim me presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe presidentin e FFM-së, Muhamed Sejdini.

Me këtë rast, i pari i UEFA-s ia kumtoi vendimin dhe e uroi presidentin Ademi për zgjedhjen në Komitetin Hattrick, organ tejet i rëndësishëm i UEFA-s, i cili merret me politikat strategjike dhe miraton të gjitha projektet e federatave për investime kapitale, edukime, futboll të moshave e avancime.

Kësisoj, edhe një herë UEFA e vlerësoi punën e FFK-së dhe presidentit Ademi si punë të pastërt dhe të drejtë sipas strategjisë dhe objektivave të parashtruara nga UEFA. Çeferin në foton e bërë në Madrid para anëtarëve të UEFA-s tregoi respektin dhe afërsinë për të dy presidentët më të ri të zgjedhur dhe i përgëzoi ata për punën e mirë që ata po e bëjnë në krye të federatave përkatëse si dhe për rezultatet e Kombëtareve.

Ai lavdëroi ngritjen që kanë bërë këto federata si dhe ofrojë përkrahje të vazhdueshme, duke thënë se çdo ditë e më shumë këto dy federata po bëhen më të forta. Presidenti Ademi e falënderoi presidentin Çeferin dhe anëtarët e Komitetit Hattrick për respektin dhe besimin e dhënë për FFK-në dhe për drejtuesit e saj, derisa premtojë punë me sinqeritet dhe me përkushtim në këtë komitet.

Me rastin e zgjedhjes në Komitetin Hattrick, Ademi falënderon KE të FFK-së, sekretarin e përgjithshëm dhe stafin për punë të palodhshme dhe me përkushtim, si dhe të gjithë faktorët relevant, klubet dhe organet e tjera të FFK-së. Po ashtu, një falënderim të veçantë ka edhe për ekipet e kombëtareve për punë dhe rezultate të shkëlqyeshme, që na kanë bërë të ndihemi krenarë dhe të respektohemi e të vlerësohemi maksimalisht si federatë.

Presidenti Ademi garanton se ai dhe KE i FFK-së se do të vazhdojnë rrugën e drejtë pa asnjë dyshim dhe nuk do të lejojnë që të prishet ëndrra e Kosovës për kualifikim. Presidenti Ademi është i gatshëm të përballet në çdo formë dhe në çdo kohë për ta çuar futbollin e Kosovës sa më lartë, i bindur në punën e mirë dhe të drejtë të Komitetit Ekzekutiv dhe administratës së FFK-së nën moton “vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi”.

Të ngjashme