Presidenti i Komitetit Olimpik i “zhgënjyer” me vendimin e gjykatës për lojtarët rusë

Prishtinë | 04 Shk 2018 | 13:56 | Nga

Udhëheqësi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, e ka përshkruar vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për Sport (CAS), i cili heq ndalimet olimpike për doping për 28 atletë rusë, si “jashtëzakonisht zhgënjyese dhe befasuese”.

Presidenti Bach, ka thënë se vendimi i fundit i CAS-it, tregon për një nevojë “urgjente” të reformimit të strukturës së brendshme të gjykatës.

Kjo gjykatë i ka përmbysur ndalimet e përjetshme olimpike për 28 rusë, duke thënë se nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme se atletët kanë përfituar nga sistemi i dopingut i sponsoruar nga shteti në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2014 që janë mbajtur në Soçi.

Rusia ka thënë se dëshiron të dërgojë 15 nga 28 atletët e këtij rasti në Lojërat Olimpike Dimërore që nisin më 8 shkurt dhe mbahen në Korenë Jugore.

Duke foluar në Pjongçang gjatë ditës së sotme, Bach ka thënë se një panel i pavarur do të rishikojë rastet e rusëve dhe do të bëjë rekomandime.

Ai ka thënë se shpreson që vendimi përfundimar për ata të merret “në ditët në vijim”.

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore do të mbahet më 9 shkurt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme