Presidenti Krasniqi në ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë priti drejtuesit e SHGSK-së

Prishtinë | 02 Kor 2021 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i shoqëruar nga këshilltari i tij, Besim Aliti, kanë pritur sot drejtuesit e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, kryetarin Edmond Thaçi dhe sekretarin e përgjithshëm, Artan Muhaxhiri, në shënimin e 2 Korrikut – Ditës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë.

Presidenti Krasniqi, duke përgëzuar gazetarët në shënimin e kësaj dite, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar edhe më fuqishëm bashkëpunimin me gazetarët sportivë, për të cilët tha se mbeten promovimi më i madh i aktiviteteve të KOK-ut dhe sportit tonë në përgjithësi.
Kryetari i SHGSK-së, Thaçi, duke e uruar presidentin Krasniqi për zgjedhjen e tij në krye të KOK-ut, e falënderoi për pritjen, derisa e njoftoi me sfidat me të cilat po përballen gazetarët sportivë, si dhe aktivitetet që e presin SHGSK-në.

Të dyja palët diskutuan për forma të ndryshme të bashkëpunimit, si dhe për Lojërat Olimpike Tokio 2020, ku pjesë e delegacionit të Kosovës do të jenë edhe gjashtë gazetarë nga Kosova.

Në fund u shkëmbyen edhe disa dhurata simbolike.

Të ngjashme