Prezantohet trajneri i ri i Kosovës në futboll

Prishtinë | 02 Mar 2018 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Bernard Challandes do të jetë trajneri i ri  Përfaqësueses së Kosovës në Futboll. Në prezantimin e tij, në një konferencë për media, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, tha se beson që ky trajner do të jetë zgjidhja e duhur për përfaqësuesen e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Ka punuar në klubet më të njohura zvicrane për 6 vite dhe ka qenë seleksionues i U-21 të Zvicrës. Arsyeja që ne kemi zgjedhur opsionin është duke marr parasysh edhe përparësitë që ka shumë lojtar që luajnë në kampionatin zvicran”.

“Mendoj që është një zgjidhje shumë e qëlluar mirëpo futbolli ka befasitë e veta dhe ajo mund të shihet në fushën e gjelbërt por nuk dyshoj se do ta bëjmë punën më të mirë të mundshme. Kemi pas dy tre emra të njohur mirëpo diku ka pasur mungesë të eksperiencës e diku ka pas mospërputhje të anës ekonomike”, tha Vokrri.

Trajneri i ri i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, tha se është mjaft i kënaqur që do të jetë në krye të ekipës së Kosovës dhe se beson që me punë do të arrijnë që ta dërgojnë përpara Kosovën.

“Për mua është një kënaqësi shumë e madhe me punu për Federatën e Futbollit të Kosovës. E njoh pasionin dhe durimin e futbollit të Kosovës. Për mua do të jetë një sfidë e madhe për të marr këtë ekip. Shteti i Kosovës është shumë i ri, ekipa është edhe më e re. Do të punojmë shumë me marr eksperiencë. Ekipa është e formuar por dua të krijoj një harmoni në ekipin e Kosovës. Kjo është shumë me rëndësi që lojtarët të jenë më të lidhur njëri me tjetrin”, tha Challandes.

Selektori i Kosovës tha se dëshiron që lojtarët kosovarë që luajnë në kombëtaren e Zvicrës të vijnë e të luajnë për Kosovën.

Zvicerani Bernard Challandes, 66-vjeçar, ishte i papunë që prej dorëheqjes nga posti tek Armenia në marsin e vitit 2015. Ai më herët ka drejtuar klubet e shumta zvicerane.

Challandes do të debutojë në ndeshjen miqësore kundër Madagaskarit që zhvillohet më 24 mars dhe kundër Burkina Fasos më 27 mars.

“Dardanët” me këto miqësore do të fillojnë përgatitjet për Ligën e Kombeve në të cilën do të përballen me Maltën, Ishujt Faroe dhe Azerbajxhanin.

Të ngjashme