Prishtina ia ndal hovin Besës

Prishtinë | 16 Nën 2018 | 00:10 | Nga Ekonomia Online

Prishtinës i ka takuar derbi i javës së tetë të Superligës së Kosovës në hendboll. Të enjten në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Prishtina fitoi ndaj kampionit, Besa Famgas me një gol diferencë, 24:23. Kështu prishtinasit e kanë ndalur hovin e Besës që ishte skuadra e vetme pa humbje në shtatë xhirot e para.

Rezultati i derbit ka bërë që të jemi dëshmitarë të një gare shumë interesante dhe të fortë për kreun e tabelës. Tani Kastrioti, Prishtina e Besa Famgas i kanë nga 14 pikë, ndërsa menjëherë pas tyre me 12 pikë është Drita. Kjo katërshe pritet të zhvillojë garë interesante për titull e për Kupë.

Edhe pas pjesës së parë Prishtina kishte një gol epërsi, 13:12. Në pjesën e parë Prishtina ishte në epërsi që shkoi duke u rritur vazhdimisht. Kështu në minutën e 14-të Prishtina kishte avantazh prej katër golave, 8:4 e më pas edhe 9:5. Por pejanët u kthyen dhe barazuan rezultatin në 9:9. Më pas djelmoshat e Taib Kabashit sërish krijuan epërsi të lehtë dhe pas 30 minutave lojë rezultati ishte 13:12.

Epërsinë e parë Besa e kishte në minutën e 37-të, 15:14. Më pas luhej për çdo gol, ndërsa Besa në disa raste kishte edhe dy gola epërsi (18:16, 19:17, 20:18). Në minutën e 51-të rezultati u barazua në 20:20 e më pas edhe 21:21, 22:22 e 23:23. Fare në fund Prishtina realizoi për 24:23 dhe kështu fitoi derbin dramatik. O. Beshiri shënoi golin e fundit. Besës i munguan disa lojtarë të rëndësishëm.

Kështu kampionati po bëhet gjithnjë e më interesant. Të mërkurën ndeshje dramatike ishte ajo në mes të Dritës e Kastriotit që u fitua nga Kastrioti.
Të enjten Vëllaznimi fitoi me një gol dallim ndaj Drenicës 20:19, ndërsa derbin vushtrrias e fitoi Vushtrria ndaj Samadrexhës me rezultat 31:25.

Prishtina – Besa Famgas 24:23 (13:12)

Prishtina: Beqiraj, Agushi, Ademi, Krasniqi 3, Basholli, Abazi, Bajqinovci 3, Fetahu, Visoka 5, Hoxha, Murtezi, Beshiri 5, Gjuka 3, Kastrati 5, Gashi, Batatina

Besa Famgas: B. Idrizi 5, Vokshi, Broqi 4, Y. Muqolli 2, Dre. Tahirukaj 6, Dri. Tahirukaj 3, Ramosaj 2, Kukrika 1, Tafilaj, Berisha, Mehmeti, Tetova, J. Muqolli

Drenica – Vëllaznimi 19:20 (9:9)

Drenica: Muqolli, Lladrovci, Gecaj, Hamza 1, Qorri 3, Hasani, Sahiti, Zekaj 3, Mehmeti 5, Haxhiaj 3, Binaku 2, Hamza, Hasani 2

Vëllaznimi: Gaxha 5, Fana 3, Halili, Spahija, Mamusha 7, Neziri 1, Rexha 4, Rama, Luzha, Curri

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme