Prishtina ia uron titullin Dritës duke e akuzuar FFK-në për kurdisje të kampionatit

Prishtinë | 21 Maj 2018 | 16:33 | Nga

Prishtina e ka akuzuar presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, dhe bashkëpunëtorët e tij për, siç pohon, kurdisje të kampionatit të sivjetmë në Superligën e Kosovës.

Në një komunikatë kontroverse pas përfundimit të ndeshjes mes Prishtinës dhe Dritës të dielën pasdite në Pejë, klubi nga kryeqyteti i ka akuzuar drejtuesit e organit qeverisës së futbollit të Kosovës (FFK), se “ia mohuan Prishtinës edhe një titull”, raporton Gazeta Express.

Në një ndeshje vendimtare përmbyllëse të edicionit 2017/18 të ligës elitare të futbollit të Kosovës, Prishtina dhe Drita u ballafaquan në Pejë për të vendosur se kush do të shpallej kampion.

Drita po vinte në këtë ndeshje me përparësi pasi kishte tri pikë më shumë se Prishtina dhe do t’i mjaftonte madje edhe humbja me rezultat minimal apo edhe barazimi për t’u shpallur kampione. Për Prishtinën gjërat ishin më të komplikuara, pasi do të duhej të triumfonte me rezultat prej dy apo më shumë golave për ta fituar titullin.

Skuadra nga Gjilani bëri një paraqitje më të mirë, ashtu siç kishte bërë edhe tërë kampionatin e sivjetmë, duke u treguar më e rrezikshme se kryeqytetasit. Bardhë e kaltërve iu përjashtuan nga loja dy lojtarët me më përvojë në skuadër, ish-përfaqësuesit e ekipit kombëtar të Shqipërisë, Debatik Curri dhe Armend Dallku, dhe më të drejtë pas ndërhyrjeve jo sportive.

Në përmbledhjen e ndeshjes së djeshme, Prishtina pohon se gjyqtarët ishin skandaloz duke refuzuar edhe t’ua shkruajë emrat në uebsajtin e saj zyrtar.

Drita e ka përmbyllur këtë sezon me 67 pikë, tri më shumë se Prishtina, duke i shënuar plot 18 fitore, 13 barazime dhe pësuar vetëm 2 humbje.

Kampionia po ashtu ka qenë skuadra me sulmin më të mirë dhe mbrojtjen e dytë më të mirë pas Prishtinës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme