Prishtina përgatitet në të ftohtë për ndeshjen “e nxehtë” në Turqi

Prishtinë | 09 Jan 2019 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Basketbollistët e Z Mobile Prishtinës të hënën mbrëma ishin mobilizuar me tuta dhe kapela, derisa po kryenin stërvitjen e fundit para nisjes për në Turqi për të luajtur ndeshjen e radhës në FIBA Europe Cup kundër Pinar Karshiyakas.

Një kalorifer në skaj të fushës në sallën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve nuk po arrinte të zbuste temperaturën e ulët që mbretëronte.

Këto janë kushtet dhe lojtarët duhet t’u përshtaten, shkruan sot Koha Ditore.

“Përgatitjet kanë shkuar mirë deri më tash edhe pse kushtet në palestër janë shumë të rënda, mund të them ekstreme, sepse është shumë ftohtë. Pas pushimit pres që këtë vit ta nisim me ritëm të mirë edhe pse kemi pasur një pauzë paksa më të gjatë pa ndeshje dhe nuk do të jetë lehtë”, tha basketbollisti Dardan Berisha.

Pasi përfunduan stërvitjen, lojtarët u njoftuan me detajet rreth udhëtimit për në Izmir të Turqisë.

Ekipi të martën paradite ka ateruar në Turqi dhe do të mbajë dy seanca stërvitore përpara ndeshjes së FIBA Europe Cup kundër Pinar Karshiyakas. Kjo ndeshje zhvillohet të mërkurën (sot) në Izmir dhe nis në orën 18:30. I takon xhiros së tretë të Grupit I.

Si Prishtina ashtu edhe Pinari kanë tubuar nga tri pikë në fazën e dytë të grupeve, pasi kanë pësuar nga S. Oliver Wuerzburgu, që prin në tabelë me katër pikë dhe kanë triumfuar ndaj Szolnoki Olajit, që renditet i fundit në grup. Te Prishtina në duelin kundër ekipit turk do të debutojë Muhammed Ahmed Bashir, që ka zëvendësuar A.J. Davisin e larguar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme