Pritje madhështore për anglezët: Billborde mikpritëse nga Aeroporti i Prishtinës

Prishtinë | 15 Nën 2019 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Ka filluar organizimi fantastik për pritjen e tifozëve dhe lojtarëvev të Anglisë, që të dielën vijnë në Prishtinë për të zhvilluar lojë ndaj Kosovës në ‘Fadil Vokrri’.

Slogani ‘Welcome & Respect’ është shpërndarë nëpër pankarta në Prishtinë në shenjë mikpritjeje për anglezët, Kombëtarja e së cilëve do të luajë kundër Kosovës të dielën në orën 18:00 në ‘Fadil Vokrri’.

Ky slogan, që në shqip do të thotë ‘Mirësevini & Respekt’, e mban edhe një lulëkuqe, që është simbol i anglezëve për ta shprehur mirënjohjen për dëshmorët dhe ushtarët e vendit. Lulëkuqen anglezët e përdorin si simbol për përkujtimin e të rënëve, por edhe si shpresë për një të ardhme paqësore.

Pikërisht slogani me këtë lulëkuqe do t’i presë tifozët dhe lojtarët e Anglisë qysh në aeroportin e Prishtinës, përderisa në kryeqytet janë bërë edhe përgatitje të tjera për t’i mirëpritur ata, shkruan gazetametro.

Vlera e kësaj ndeshjeje të së dielës ka rënë për Kosovën pas humbjes të së enjten në Çeki, pasi që tani “Dardanët” e kanë të pamundur të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A.

Në anën tjetër, Anglia e ka siguruar kualifikimin, mirëpo i duhet fitorja për t’u siguruar që është fituese e grupit. Nëse e kalon grupin si fituese, Anglia ka më shumë gjasa të përballet me Kombëtare më të dobëta në letër në fazën e grupeve të Evropianit.

Të ngjashme