Prizreni 16-Trepça, finalja e madhe e Superkupës

Prishtinë | 04 Sht 2021 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Pas shumë ndeshjeve interesante, radha është për finalen e madhe të Superkupës, ku do të përballen Prizreni 16 dhe Trepça.

Prizrenasit për të arritur në finale mundën Dritën bindshëm 106:69 dhe në gjysmëfinale Pejën 96:85, kurse mitrovicasit për të arritur në finale eliminuan Rahovecin 75:71 dhe Golden Eagle Yllin 81:69.

Gjashtë përballjet çerekfinale dhe gjysmëfinale dhuruan mjaft emocione dhe adrenalinë, e kështu pritet edhe finalja e madhe.

Për skuadrën nga Prizreni do të ishte trofeu i parë në histori të klubit, kurse ‘Xehetarët’ pas një periudhë me shumë vështirësi do të fitonin një trofe, për të rritur ambiciet në edicionin e ri.

Të dy skuadrat e duan trofeun e çmuar të Superkupës për të nisur sa më mbarë edicionin e ri.

Finalja e madhe zhvillohet të dielën nga ora 17:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Turneu i Superkupës organizohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Për shkak të masave anti-Covid 19 nga Qeveria e Kosovës, finalja, ashtu si takimet tjera zhvillohet pa shikues.

Të ngjashme