Probleme për Milanin

Prishtinë | 03 Kor 2020 | 17:44 | Nga Ekonomia Online

Milani po përgatitet për një javë tejet të rëndësishme dhe të vështirë në kampionat, pasi brenda 8 ditëve do të përballet fillimisht me Lazion dhe më pas me Juventusin e Napolin, sfida këto që pritet të vendosin shumë për objektivat e kuqezinjve.

Por në prag të ndeshjes ndaj bardhekaltërve nga kryeqyteti, trajneri Stefano Pioli ka marrë një lajm të hidhur nga infermieria, pasi mesfushori spanjoll Samuel Castillejo do të mungojë për të paktën një javë dhe nuk do të jetë i gatshëm për asnjë prej këtyre tre sfidave.

Futbollisti spanjoll u dëmtua në ndeshjen me Spalin dhe la fushën e lojës që në minutën e 16’, ndërsa sot iu nënshtrua analizave të detajuara, të cilat konstatuan një dëmtim muskulor, që do ta mbajë larg fushave për të paktën 7 ditë.

Tani shpresat e mjekëve janë që futbollisti të mund të rikuperohet për përballjen e 15 korrikut ndaj Parmës, pasi deri të premten e ardhshme Castillejo do të qëndrojë pushim, me shpresën e një rikuperimi të shpejtë.

Të ngjashme