Probleme për Shqipërinë, dëmtohen Abrashi dhe Lenjani

Prishtinë | 12 Gus 2021 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Amir Abrashi dhe Ermir Lenjani do t’i mungojnë Shqipërisë në ndeshjet e shtatorit kundër Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos.

Amir Abrashi dhe Ermir Lenjani kanë qenë të pafat në ndeshjen kundër Lausanne Sport fundjavën e shkuar, pasi janë dëmtuar të dy.

Mesfushori, që mban edhe shiritin e kapitenit, ka pësuar një frakturë në mollëzën e faqes dhe ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale. Ai pritet që të luajë me maskë në vazhdim, ndërkohë që të hënën pritet të dalë në stërvitje.

Për Lenjanin dëmtimi është më i rëndë.

Mbrojtësi i majtë i Grasshopper ka pësuar një tërheqje të ligamentit të gjurit, si dhe ka dëmtuar kyçin e këmbës, ndaj do të duhet të qëndrojë jashtë fushave të blerta 4 deri në 6 javë.

Kështu, Edi Reja s’mund të llogarisë në asnjërin në tri ndeshjet kualifikuese të Kombëtares shqiptare.

Shqipëria fillimisht do të përballet me Poloninë me 2 shtator, më pas me Hungarinë me 5 shtator dhe në fund me San Marinon me 8 shtator.

Të ngjashme