Probleme te Vushtrria, punë edhe për Prokurorinë

Prishtinë | 14 Gus 2020 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Ka kohë që klubi i futbollit, Vushtrria, nuk po kalon momente të mira. Rënia nga Superliga këtë vit nuk është brenga e vetme e kampiones së Kosovës në vitin 2014.

Ish-sekretarit të Vushtrrisë, Naim Ferizi, nuk po i lejohet as hyrja në stadiumin “Ferki Aliu”, pasi është shkarkuar nga bordi.

Ferizi në një prononcim akuzon pronarin e klubit, Bajrush Kajtazi. “Është rasti i parë që neve të klubit Vushtrria nuk na lejohet hyrja në stadium, nga ish-pronari që pretendon që e ka privatizuar klubin, por që në të vërtetë nuk e ka privatizuar. Nuk na lejohet hyrja as të përgatitemi për edicionin e ri. Klubi është i regjistruar si OJQ në Prishtinë, po ashtu edhe në Drejtorinë e Sportit në Vushtrri, klubi e ka xhirollogarinë dhe organet e veta, ashtu si parashihet me Ligjin mbi Organizatat Joqeveritare”, u shpreh Ferizi.

Ai thotë se rreth 30 persona të tjerë, përfshirë edhe futbollistë të njohur, si Labinot Osmani e Liridon Ahmeti, e kanë mbajtur një kuvend, ku kanë votuar për shkarkimin e Kajtazit dhe të anëtarëve të Bordit, raporton Koha.

Sipas Ferizit, gisht ka edhe politika.

“Politika është përzier këtu sipas të gjitha gjasave. Bajrush Kajtazin janë duke e mbajtur pesë servilë këtu që kanë qenë më herët, e po ashtu edhe kryetari i Komunës dhe Drejtoresha e Sportit”, theksoi Ferizi.

Pjesa e pakënaqur po e konteston mënyrën e privatizimit të klubit në vitin e kaluar dhe pretendon se është tentuar edhe t’i ndërrohet emri klubit të Vushtrrisë…

Të ngjashme