Prokuroria po heton për manipulim të mundshëm në testin e gjuhës të Suarezit

Prishtinë | 22 Sht 2020 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Prokurorët italianë kanë thënë sot se kanë dëshmi se testi i gjuhës të cilit i ishte nënshtruar sulmuesi uruguaian i Barcelonës, Luis Suarez, për ta marrë shtetësinë italiane para transferimit te Juventusi ka qenë i manipuluar, shkruan agjencia Reuters.

Suarez, bashkëshortja e të cilit ka origjinë italiane, kaloi testin e gjuhës të enjten e kaluar në Universitetin për të Huajt në Perugia.

U hap rruga për një aprovim të shpejt për shtetësi që do të nënkuptonte se mund të transferohej te ndonjë klub pa e zënë kuotën e lojtarëve që nuk janë nga Bashkimi Evropian. Por dyshimet janë ngritur shpejt në media se atij i ishte dhënë një tretman i veçantë.

Kryeprokurori i Perugias, Raffaele Cantone, ka thënë se hetimet e tij kanë treguar se pyetjet i ishin treguar Suarezit para testit dhe ishte vendosur më herët se me çfarë note do të notohej ai, përkundër se ai ka njohuri të pakët në gjuhën italiane.

Universiteti ka mohuar se ka pasur manipulim, duke cekur në komunikatë se ka vepruar me korrektësi e transparencë dhe se do të qartësohen gjërat në fund të hetimit.

Policia ka hetuar universitetin të martën për hetime të mëtutjeshme, ka thënë Cantone, ndërsa gazeta “La Repubblica” ka raportuar se pesë punonjësë të universitetit janë nën hetime, përfshirë edhe rektori.

Suarez vet nuk është në mesin e personave që po hetohet.

Suarez 33-vjeçar ka marrë kualifikimin B1 që i nevojitet për shtetësi në vetëm 15 minuta dhe se është kërkuar vetëm t’i nënshtrohet pjesës me gojë të testit. Të tjerët që i ishin nënshtruar testit B1 në Romë në të njëjtën ditë, u desh të plotësonin një test me shkrim për dy orë e gjysmë.

Suarez ishte pranë transferimit te Juventusi, mirëpo transferimi ka dështuar dhe ai pritet t’i bashkohet Atletico Madridit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme