Promoteri i Joshuas u premton tifozëve britanikë se nuk do të zhgënjehen nga “Ariu shqiptar”

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Eddie Hearn, promoteri i njohur i boksierit me famë botërore Anthony Joshua, u ka premtuar tifozëve britanikë se nuk do të zhgënjehen nga talenti që do të tregojë së shpejti “ariu shqiptar”, siç njihet boksieri Reshat Mati.

Ylli i ri i boksit në kategorinë Velter, Reshat Mati, do të debutojë të shtunën e 7 marsit në Manchester Arena në një parandeshje të meçit mes Scott Quigg – Jono Carroll. Kjo mbrëmje e boksit do të transmetohet në kanalet më të rëndësishme sportive në Britani e Amerikë.

Mati ka deri tash në karrierë gjashtë fitore, katër prej të cilave me nokaut. Ai s’ka asnjë humbje që kur nisi karrierën si profesionist në tetor të 2018-s.

“Ariu shqiptar” nga New Yorku nisi në mënyrë të përsosur karrierën, duke mposhtur Aaan Ahumadan në Chigaco, para se të mposhtte edhe Juan Sepulvedan në Madison Square Garden, shkruan “WBN”, transmeton Koha.net.

21-vjeçari vazhdoi me fitore edhe më 2019, duke siguruar nokautin në raundin e parë, para se të pësonte lëndim që e la jashtë ringut deri në tetor. Mati nuk ka treguar asnjë shenjë dobësie në rikthimin e tij të mëvonshëm duke siguruar dy fitore rresht me nokaut. Tani ai do të paraqitet para publikut britanik për të nisur vitin 2020, duke ndjekur hapat e Austin Williamsit, Nikita Ababiyt, Raymond Fordit e Otha Jonesit.

“Jam shumë i lumtur që do të debutoj në Britani të Madhe. Atmosfera që e krijojnë fansat këtu duket speciale dhe mezi pres ta përjetoj nga afër. Shpresoj që pas 7 marsit të rikthehem në SHBA me disa fansa të rinj”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Hearn ka thënë se ky do të jetë hap i rëndësishëm para meçeve të mëdha për boksierin shqiptar.

“Jam shumë i lumtur që Reshati do të debutojë në Britani të Madhe. Tashmë ka mbajtur disa meçe në showet e mëdha të boksit në Amerikë dhe ky është hap tjetër për zhvillimin e tij. Jam i sigurt se tifozët britanikë dhe ata shqiptarë do të jenë pas tij më 7 mars dhe nuk do të zhgënjehen nga ajo që do të shohin”, ka deklaruar promoteri i njohur.

Të ngjashme