PSG-ja e konsideron transferimin e Messit

Prishtinë | 05 Dhj 2020 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Paris Saint-Germaini është duke shikuar mundësinë që ta transferojë yllin e Barcelonës, Leo Messi, në afatin kalimtar të verës, raporton ESPN.

Messi kishte kërkuar largimin nga Barcelona në gusht, pas eliminimit nga Bayerni në Ligën e Kampionëve kur kishte humbur me rezultat prej 8 me 2, transmeton KOHA.

Favorit për ta transferuar argjentinasin ishte klubi anglez, Manchester City.

Megjithatë, sipas burimeve të ESPN drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, dhe ylli brazilian Neymar kanë diskutuar mundësinë që Messin ta transferojnë në “Parkun e Princave”.

Messi nuk mund të largohet nga Barcelona deri në verën e vitit të ardhshëm, megjithatë nga 1 janari ai mund të nisë bisedimet me klubet e interesuara.

Më 24 janar Barcelona do të mbajë zgjedhjet për të zgjedhur presidentin e ri të klubit, pas dorëheqjes së Josep Maria Bartomeut, gjë e cila pritet të ketë edhe ndikim në vendimin e Messit për t’u larguar ose jo nga Camp Nou.

“Nuk mund të flasë për këtë momentalisht”, është përgjigjur presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, kur është pyetur për të ardhmen e Messit.

Kurse Neymari pas fitores në mesjavë ndaj Manchester Unitedit kishte deklaruar se dëshiron që sërish të luajë me Messin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme