PSG-ja kundër Barçës për hakmarrje dhe me Messin në mendje

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Kampioni i Francës, Paris Saint-Germaini udhëtoi në Barcelonë për ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Parisi kërkon t’i japë dy goditje Barcelonës – ta eliminojë nga Championsi tani dhe në verë t’ia marrë superyllin Lionel Messi.

Pretendimet e PSG-së për transferim të Messit e rrisin edhe më shumë rivalitetin ndërmjet këtyre dy klubeve, të shfaqur në vitet e fundit. Dueli mes Barcelonës dhe PSG-së zhvillohet të martën mbrëma (21:00) në stadiumin “Camp Nou”.

Fitorja e thellë e Barcelonës me rezultatin 6:1 në 1/8 e finales të Championsit në vitin 2017, pasi humbi ndeshjen e parë 4:0, ishte një ndër rikthimet më të mëdha ndonjëherë në këtë garë dhe bëri që Parisi muaj më vonë të paguante hiç më pak se 222 milionë euro për ta transferuar Neymarin, i cili ishte lojtari më i dalluar tek ekipi spanjoll atë mbrëmje që u kualifikua në çerekfinale.

Tani, PSG-ja ia ka vënë syrin Messit, me lojtarët, trajnerët dhe zyrtarët e ekipit francez që vazhdimisht kohët e fundit po flasin për entuziazmin dhe mundësinë e transferimit të yllit argjentinas në Paris kur kontrata e tij skadon me Barcelonën në qershor. Mbështetur nga familja mbretërore e Katarit, PSG-ja është një nga klubet e pakta që mund të përballojë pagën e Mesit, e cila u zbulua nga gazeta spanjolle “El Mundo” muajin e kaluar si më e madhja në botën e sportit.

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, ka thënë se kanë “një vend të rezervuar në tryezë” për kohën kur Messi dëshiron të negociojë me klube të reja nëse ai vendos të largohet nga Barça pas 17 vjetësh. Ndërsa anësori Angel di Maria e ka bërë të qartë se ai dëshiron të ribashkohet me shokun e tij të Argjentinës në Paris.

Komentet kanë nxitur trajnerin e Barcelonës, Ronald Koemanin, por trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino tha javën e kaluar se ai nuk e kuptonte reagimin e homologut të tij holandez. Sipas Pochettinos është normale që të bëhet bujë dhe të flitet për një lojtar si Messi. Messi ka pranuar se përpjekja e tij për të lënë Barçën verën e kaluar çoi në një rënie të formës në fillim të edicionit aktual. Mirëpo, argjentinasi është kthyer në formën e tij më të mirë dhe me dy golat e shënuar kundër Alavesit vikendin e shkuar në fitoren 5:1 ka paralajmëruar PSG-në.

“Messi është 100 për qind i përkushtuar ndaj Barcelonës dhe do ta marrë vendimin e tij në fund të sezonit. Ne nuk i kushtojmë vëmendje asaj që thonë klubet dhe lojtarët e tjerë”, tha mbrojtësi i krahut të majtë të Barcelonës, Jordi Alba në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën. “Shumë është thënë, ka shumë mendime, por fjala e fundit do të jetë e tij. Shpresoj që ai të qëndrojë për shumë vite të tjera, por është vendimi i tij dhe ne do të duhet ta respektojmë atë. Mendja e tij është e përqendruar te Barça tani, ju mund ta shihni këtë në çdo lojë”.

Koeman më parë kishte thënë se PSG-ja po fliste për shanset që ka për ta transferuar Messin për të provuar dhe forcuar presionin ndaj Barcelonas për ndeshjet e Championsit. Ekipi francez në ndeshjen e parë do të jetë pa Neymarin dhe Di Marian dhe Koeman një ditë para përballjes me PSG-në dukej dukshëm më i qetë.

“Ata nuk kanë arritur të na destabilizojnë. Unë nuk e di nëse ky ishte qëllimi i tyre apo jo. Por Messi i përket Barçës dhe kam shumë shpresë se ai do të qëndrojë këtu”, tha Koeman, i cili pastaj ka folur për duelin kundër francezëve. “Do të jetë një përballje e vështirë, por edhe madhështore, sepse kundërshtar kemi një ekip të fortë. Barcelona është rritur shumë muajt e fundit dhe ka cilësi. Besoj në ekipin tim dhe ndaj PSG-së do të futemi me ambicie dhe vetëbesim për ta fituar ndeshjen. Në duelin e parë është e rëndësishme të shënojmë dhe mos pranojmë gol, në mënyrë që në Paris të udhëtojmë më të qetë”.

Katalunasit, të cilët kanë fituar shtatë ndeshjet e fundit në La Liga, do të jenë edhe pa mbrojtësin Ronald Araujo si dhe Ansu Fatin e Philippe Coutinhon, që janë të lënduar. Mirëpo, pas një mungese prej tre muajve, te Barça do të kthehet qendërmbrojtësi Gerard Pique. Edhe Parisit i kthehet mesfushori Marco Verratti që është rikuperuar nga lëndimi i nyjës.

“Barcelona është një ekip i madh me ide të qarta, por edhe në kemi synimet tona dhe do të dalim në fushë për ta fituar ndeshjen. Jemi në formë të mirë dhe këtë duam ta dëshmojmë edhe në këtë përballje pasi synimi është që të vazhdojmë tutje. Edicionin e shkuar arritëm deri në finale të kësaj gare dhe këtë vit duam ta përsëritim të njëjtën gjë. Jemi gati për këtë duel”, u shpreh Verratti.

Ndërkohë, të martën në kohën e njëjtë luhet edhe një ndeshje tjetër në kuadër të kësaj faze. Në Hungari, do të përballen Leipzigu dhe Liverpooli për shkak të masave strikte të vendosura në Gjermani për shkak të koronavirusit. Përkundër krizës së Liverpoolit që ka regjistruar katër humbje në pesë ndeshjet e fundit, trajneri i Leipzigut, Julian Nagelsmann ka pranuar se ekipi anglez mbetet favorit në këtë duel.

“Rezultatet e fundit nuk janë pasqyrë e vërtetë e forcës së Liverpoolit. Kështu që Liverpooli mbetet favorit në këtë ndeshje edhe pse ne jemi në formë shumë të mirë”, është shprehur Nagelsmann.

E martë (21:00)

Barcelona – PSG
RB Leipzig – Liverpool

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme