Pugh, notari që zbuloi “sekretin” e Antarktikut

Prishtinë | 15 Mar 2020 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Pasi kishte kapërcyer të ftohtit e ujit të akullt dhe derisa vazhdonte të notonte në tunel, notari Lewis Pugh u godit nga ngjyrat. Ai kurrë në jetën e tij nuk kishte parë një gjë të tillë, ngjyra blu dhe vjollce që po mbretëronin nëpër ujërat e Antarktikut, derisa Pugh po sfidonte veten duke notuar në këtë vend. Në fakt, Pugh kishte rrezikuar jetën e tij, pasi ishte zhytur në ujërat e Antarktikut me vetëm një palë mbathje noti. Kjo nismë sa ishte mahnitëse, po aq ishte edhe shqetësuese.

“Edhe pse e dija që po rrezikoja jetën time, unë mbeta i mahnitur prej ngjyrave të shkëlqyeshme nëpër ujin e Antarktikut. Thjesht ishte diçka që nuk e kisha parë kurrë në jetën time. Madje, prej bukurisë së ngjyrave, harrova edhe ujin e akullt nëpër të cilin po notoja”, thotë Pugh, i cili më parë ka notuar në disa prej ujërave më të largëta në botë dhe ndryshe njihet edhe si “UN Patron of the Oceans”, pasi në vitin 2013 është angazhuar prej Kombeve të Bashkuara. “Por, ishte gjithashtu jashtëzakonisht e tmerrshme. Ngjyrat ishin të mrekullueshme, por ato fshehin një sekret të errët dhe njerëzit për këtë arsye frikësohen të notojnë në Antarktik”.

Pugh notoi poshtë një lumi nën akullnajat e Antarktikut në janar dhe ishte i pari që këtë vit e pa nga afër nivelin e shkrirjes që po ndodh në Antarktikun Lindor. Gjatë shtegut që e notoi për dhjetë minuta, Pugh u bëri ballë temperaturave të ulëta. Temperatura në ujin që po notonte ishte 0.1 gradë celsius derisa ato të ajrit ishin në minus 15 gradë celsius. Pugh njihet si notar i tillë që sfidon ndryshimet e klimës nëpër vende të ndryshme të botës. Ai, para se ta sfidojë veten për të notuar në Antarktik, ka notuar edhe në Polin e Veriut, Everest dhe Detin Ross. Megjithatë, ai insiston se përvoja më e jashtëzakonshme mbetet kjo e Antarktikut. Ai pranon se gjatë notit në Antarktik kishte telashe të mëdha, por në fund arriti t’i tejkalojë të gjitha për ta përmbushur edhe një sfidë. Më saktësisht, Pugh e quan këtë edhe një mision të radhës të kompletuar.

“Unë mezi mund të merrja frymë kur hyra në ujë për herë të parë. I ftohti fillimisht e digjte lëkurën time, derisa duart dhe këmbët e mia ishin në agoni absolute. Trupi im më thoshte që të dilja menjëherë nga uji, por mendja insistonte që të përqendrohem dhe të vazhdoj notimin”, kujton Pugh. “Kjo që e kam bërë unë nuk ka të bëjë me trimërinë, por me dërgimin e mesazhit të duhur, pasi mendoj se noti nuk ka të bëjë me rroba apo tharëse flokësh”.

Të ngjashme