Punimet në Arenën Kombëtare, impianti gati në vjeshtë

Prishtinë | 23 Shk 2018 | 16:57 | Nga

Punimet në “Arenën Kombëtare” po tejkalojnë edhe parashikimet, me punimet që vazhdojnë me ritme më të shpejta edhe se afatet e përcaktuara.

Në fundin e muajit shkurt, tre tribuna kanë marrë formë. Duke nisur nga karshia, tribuna jugore mbrapa portave, ndërsa edhe pjesa veriore mbrapa portave që ka qenë disi më e prapambetur po ngrihet në nivelin e të tjerave.

Pas vendosjes së strukturave metalike dhe pjesëve të betonit, në këto sektorë ka nisur puna për shkallët, ndërsa më pas do të marrë formë edhe tribuna kryesore e impiantit më të madh në vend dhe një prej më modernëve në Europë.

Fakti që punimet në tribuna po shkojnë drejt fundit konfirmohet edhe nga fakti se në pjesën e brendshme të stadiumit, aty ku do të jetë fusha e lojës, tashmë është montuar edhe një vinc i përmasave të jashtëzakonshme, me kapacitet 600 tonë, raporton SS.

Makineria e ardhur nga Rusia, përballë së cilës të gjitha makineritë e tjera të rënda duken shumë të vogla, do të shërbejë për punimet në pjesët më të larta të tribunave, si edhe strukturën metalike që do të përbëjë mbulesën e impiantit.

“Arena Kombëtare” pritet të përfundojë në vjeshtën e këtij viti, për të qenë gati për të pritur ndeshjet e Kombëtares kuqezi, duke nisur nga duelet në Ligën e Kombeve që Shqipëria do të luajë me Izraelin dhe Skocinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme