Putin i premton Khabibit ndihmë për babanë e infektuar me Coronavirus

Prishtinë | 20 Maj 2020 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ia ka premtuar babait të Khabib Nurmagomedovit trajtimin më të mirë mjekësor në dispozicion, pasi ai është infektuar me coronavirus dhe ka probleme me zemër.

Lajmin e ka konfirmuar menaxheri i kampionit të peshave të lehta të UFC.

Këtë javë, Khabib e konfirmoi lajmin se babai i tij, Abdulmanap, së fundi e bëri një operacion në zemër dhe se tani është diagnostikuar me coronavirus.

Khabib bëri të ditur se babai i tij është në gjendje kritike, përderisa përfaqësuesi i tij – Ali Abdelaziz – e ka konfirmuar për ESPN se ai është vendosur në komë në Moskë.

“Mund ta konfirmoj se babai i Khabibit është në gjendje kome”, ka thënë Ali Abdelaziz për ESPN.

“Khabibi ka qenë në kontakt me Vladimir Putinin gjatë ditëve të fundit dhe ai i ka premtuar babait të Khabibit se do ta marrë trajtimin më të mirë mjekësor që është në dispozicion”.

“Mesazhi numër një i Khabibit për të gjithë njerëzit në botë është që të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që ta parandalojnë përhapjen edhe më të madhe të coronavirusit”.

Khabibi dhe babai i tij kanë lidhje shumë të mirë mes vete. Abdulmanap e kishte stërvitur të birin e tij për t’u bërë kampioni i UFC që është sot.

Khabib kishte thënë se familja e tij në Dagestan është goditur rëndë nga koronavirusi, pasi që më shumë sesa 20 familjarë të tij kanë dalë pozitivë për këtë virus.

“Personalisht, unë i kam më shumë se 20 familjarë të infektuar – nuk e kam fjalën për njerëz të cilët i njoh, por për familjarë të afër – që kanë qenë nën kujdes intensiv”, ishte shprehur Khabibi.

“Shumë njerëz që i njoh kanë vdekur, prindërit e njerëzve të afërt për mua”, transmeton express.

“Ky virus i ka ndikuar të gjithë. Ky virus nuk pyet se si e ke mbiemrin apo emrin, ky virus nuk pyet se ku punon ti, nëse je i pasur apo i varfër. Të gjithë janë sëmurë, por mund ta kalojmë këtë së bashku”. 

Të ngjashme