Rahoveci kërkon fitoren e tretë brenda pesë ditësh

Prishtinë | 29 Jan 2020 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Te klubi i basketbollit Rahoveci po e kërkojnë fitoren e tretë brenda pesë ditësh. Të mërkurën, sot, “vreshtarët” do të përballen me Bashkimin në kuadër të xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Ndeshja nis në orën 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” dhe do të jetë e treta për Rahovecin brenda pesë ditësh. Rahoveci të shtunën e shkuar mposhti Trepçën, derisa të hënën edhe Vllazninë e Shkodrës në kuadër të Ligës Ballkanike. Ndërkohë, te Bashkimi po shpresojnë ta shfrytëzojnë lodhjen e Rahovecit për t’u kthyer te fitorja në kampionat pas humbjes nga Golden Eagle Ylli.

Njëherësh, dueli ndërmjet Rahovecit dhe Bashkimit është derbi i xhiros që zhvillohet të mërkurën (sot) dhe të enjten. Sot zhvillohet edhe një ndeshje tjetër, në të cilën përballen Ponte Prizreni dhe Trepça (17:00).

“Do të jetë një ndeshje e fortë, pasi dihet se të dy skuadrat do të kërkojmë fitoren dhe në Rahovec gjithmonë krijohet atmosferë e mirë. Ne jemi përgatitur mirë dhe jemi përmirësuar në pikat e dobëta që i patëm kundër Yllit. Kështu që në Rahovec shkojmë për fitore, pasi një fitore ndaj një ekipi të fortë do të ngrinte edhe më shumë vetëbesimin tonë. Gjithashtu, jemi më të pushuar dhe më të freskët, gjë të cilën pres ta shfrytëzojmë për t’u kthyer me fitore nga Rahoveci, që ka ekip shumë të mirë”, ka thënë trajneri i Bashkimit, Illmen Bajra.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme