Rahoveci thyen dominimin 13-vjeçar të “katërshes së madhe”

Prishtinë | 30 Pri 2019 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Ka kaluar kohë e gjatë prej se një skuadër e “katërshes së madhe” nuk i është bashkuar Prishtinës në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Prishtina, që këtë edicion e ka parashtesën Z Mobile, do të luajë në finale të plejofit me Rahovecin, ndërsa seria nis të premten, shkruan sot Koha Ditore.

Në 12 edicionet e kaluara Prishtina përballë në finale të plejofit kishte tri skuadrat e tjera të “katërshes së madhe”, Pejën, Trepçën apo Bashkimin. Me Pejën e shuar dhe me Bashkimin e Trepçën jo me forcën e zakonshme, finalja e plejofit do të luhet ndaj Rahovecit, skuadrës fare të re të Superligës së basketbollit, por që ka marrë primatin këtë edicion për numrin e shikuesve. Për shembull të dielën ndeshja gjysmëfinale ndërmjet Bashkimit dhe Prishtinës u luajt në palestër thuajse të zbrazur, ndërsa Rahoveci e priti Golden Eagle Yllin në palestër të stërmbushur. Palestra në serinë gjysmëfinale u mbush edhe në Suharekë, por jo edhe në Prishtinë.

Nuk vlerësohen të mëdha gjasat e Rahovecit për të fituar përballjen finale me Prishtinën. Prishtina ka fituar të gjitha ndeshjet e stinorit të rregullt, ndërsa kishte mposhtur Rahovecin në finale të Kupës, garë në të cilën, po ashtu, nuk kishte disfata. Edhe në gjysmëfinale të plejofit Prishtina eci pa humbje, kështu që humbjet e vetme këtë edicion i ka në gara evropiane.

Të ngjashme