Ramadani konfirmohet si shpresa më e madhe e atletikës kosovare

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Atleti perspektiv nga Mitrovica, Muhamet Ramadani, ka arritur edhe një sukses që e konfirmon atë si shpresën më të madhe të atletikës kosovare. Ndonëse 17-vjeçar, Ramadani të dielën ka fituar titullin e kampionit të Ballkanit në grupmoshën U-20.

Ballkaniku në palestër i 20-vjeçarëve është mbajtur të dielën në Stamboll të Turqisë. Ashtu siç pritej, Ramadani ka arritur suksesin e synuar nga Kosova, duke fituar medalje të artë, shkruan Koha Ditore.

Ramadani kështu ka vazhduar ngritjen në karrierë, që shpresohet se do ta dërgojë në Lojëra Olimpike në të ardhmen. Ai shquhet për punën e madhe që bën dhe për përkushtimin në karrierë. Karrierën po e zhvillon nën kujdesin e babait, Shabanit, që është edhe trajner i tij.

Ramadani arriti medaljen e artë me hedhjen më të mirë prej 19.20 metrash. I dyti ishte turku Melih Yersel me hedhje prej 18:80 metrash. Pra, fitorja e tij ishte bindëse. Gjylja kishte peshë prej 6 kilogramësh, ndërsa Ramadani ka arritur rezultatin më mirë në karrierë. Ai synon që shpejt ta kalojë distancën e 20 metrave.

“Jam shumë i lumtur me këtë sukses. Ka pesë muaj që kam punuar për këtë kampionat ballkanik së bashku me trajnerin tim, Shaban Ramadani. Jam i kënaqur që këtë vit e kisha pranë edhe trajnerin dhe prindin tim. Synimet e këtij viti janë që të marr medalje tjetër në Ballkanik. Këtë vit e kemi edhe Botërorin në Keni, ku pres të jam në mesin e pesë apo gjashtë më të mirëve, por pse jo edhe të luftoj për ndonjë medalje”, ka thënë Ramadani të dielën për gazetën. Deri më tani prindit të tij nuk i është lejuar që të udhëtojë së bashku me Ramadanin nëpër gara. Kjo ka ndryshuar pas insistimit të tyre.

Vjet Ramadani ishte i treti në Ballkanikun U-20. Ndërsa kishte fituar medaljen e vetme të Kosovës në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj. Kosova ka garuar me tetë atletë në Ballkanikun e palestrës.

Të ngjashme