Rashica i lumtur që e takoi në Prishtinë ish-bashkëlojtarin e vet gjeorgjian

Prishtinë | 13 Tet 2021 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Ndeshja e kualifikuese për Kupën e Botës mes Kosovës dhe Gjeorgjisë ishte një mundësi e mirë për Milot Rashicën që ta shohë një ish-bashkëlojtar të vetin gjeorgjian.

Gjeorgjia e mundi 2:1 Kosovën në Prishtinë dhe u dërgoi në vendin e fundit në Grupin B kualifikues për Botëror të martën.

Sulmuesi i Norwich City Rashica nuk arriti t’i ndihmojë ekipit dardan ta shmangë humbjen e katërt në këto kualifikime, por e pati mundësinë ta takojë një ish-bashkëlojtar të vetin.

Ylli vushtrrias luajti një orë para se të zëvendësohej për t’i liruar vendin Lirim Kastratit.

Pas ndeshjes, ai u takua në fushën e stadiumit Fadil Vokrri me Guram Kashian, ish-bashkëlojtarin e vet te Vittesse në ligën elitare holandeze.

Rashica e quajti vëlla Kashian në përshkrimin e një fotografie që e shpërndau në Instagram, në të cilën gjeorgjiani e kishte përmendur atë duke theksuar: “Më vjen mirë që të shoh vëlla”.

Kashia dhe Rashica luajtën së bashku për tri sezone, nga viti 2015 deri më 2018 në Vitesse, para se kosovari të largohej për t’iu bashkuar Werder Bremenit në janar të vitit 2018.

Rashica nuk po kalon çaste të mira me Kombëtaren, pasi ka gati dy vjet që nuk e gjen golin për verdhekaltrit në ndeshje zyrtare. Goli i fundit i tij për Kosovën erdhi në fitoren dramatike 3:2 kundër Bullgarisë në kualifikime për Euro 2020 në tetor 2019.

Disfata e djeshme, e cila ishte e pesta në shtatë ndeshje, bën që Kosova të rrezikojë seriozisht ta mbyllë grupin kualifikues për Botëror në vendin e fundit.

Kosova është e fundit me katër pikë, aq sa ka edhe Gjeorgjia në vendin e parafundit por me goldallim më të mirë. Në ndeshjen e fundit në grup, Kosova përballet me Greqinë muajin e ardhshëm në Athinë.

Të ngjashme