Rashica, objektiv i Napolit

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Ylli kosovar i Werder Bremenit është bërë objektiv i klubeve të njohura evropiane. Atë e duan në Gjermani, në Angli dhe në Itali

Milot Rashica vazhdon të ndiqet nga klubet e njohura evropiane, shkruan Gazeta Express.

Ylli kosovar bëri paraqitje të shkëlqyeshme me Werder Bremenin në dy sezonet e fundit dhe kjo ka bërë që të bëhet objektiv i klubeve të mëdha.

Sipas mediave italiane, së fundmi interesim për përfaqësuesin kosovar ka shfaqur Napoli.

Klubi nga Serie A do ta rivalizojë Lazion, e cila po ashtu e pëlqen futbollistin ofanziv.

Ndërkohë, Rashicën në Angli e duan Liverpooli dhe Aston Villa.

Kurse, në Gjermani e pëlqejnë Borussia Dortmundi dhe Leipzigu.

Rashica i ka realizuar 10 gola këtë sezon deri tash me Werder Bremenin, prej tyre 7 në Bundesligë.

Në total, ish-futbollisti i Vitesses i ka realizuar 23 gola në 59 paraqitje me Werderin.

Nga viti 2016, 23 vjeçari është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, me të cilën i ka zhvilluar 27 ndeshje dhe i ka realizuar 4 gola.

Vlera e kartonit të Rashicës është 38 milionë euro, ndërsa ai ka kontratë me klubin gjerman deri në vitin 2022.

Por, nëse Werderi bie nga Bundesliga, klubet e interesuara mund ta blejnë futbollistin vushtrrias për 18 milionë euro.

Rashica është i gatshëm për një klub më të madh.

Ai dëshiron të luajë rregullisht në Ligën e Kampionëve dhe përkrah yjeve të futbollit.

Të ngjashme