Rashica vendos të largohet nga Anglia, zbulohet liga ku dëshiron të luajë ylli kosovar

Prishtinë | 15 Qer 2022 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Milot Rashica do të largohet nga Norwich City gjatë kësaj vere pasi klubi anglez nuk arriti të mbijetonte në Premierligë.

Dhe, përfaqësuesi kosovar tash po i shikon alternativat për sezonin e ardhshëm.

Sipas mediave të huaja, vushtrriasi është i vendosur të rikthehet në Bundesligë.

Gazetari i “Sky Germany”, Dirk Schlarmann raporton se Schalke 04 nuk do ta angazhojë futbollistin ofanziv pasi nuk ka mundësi financiare për të bërë një gjë të tillë, përcjell “Gazeta Express”.

Sidoqoftë, ish-futbollisti i Werder Bremenit e ka ndarë mendjen dhe dëshiron të luajë në ligën elitare gjermane sezonin që vjen.

Ai kishte luajtur me sukses në Bundesligë për katër vjet, ku i kishte shënuar 21 gola në 87 paraqitje.

Për momentin nuk përmendet ndonjë klub i interesuar për 25 vjeçarin, por me siguri se ai do ta gjejë një angazhim në kampionatin gjerman.

Sa i përket Anglisë, futbollisti anësor nuk e gjeti veten si duhet në Premierligë duke e realizuar një gol dhe duke i bërë dy asistime në 31 ndeshje të ligës angleze.

E tash, ai po mendon të largohet nga Norwichi pasi nuk dëshiron të luajë në Championship, respektivisht niveli i dytë i futbollit anglez, shkruan “Gazeta Express”.

Drejtori sportiv i Norwichit, Stuart Webber muajin e kaluar kishte zbuluar se disa klube të Premierligës po ua kërkojnë lojtarët kryesorë.

Pra, njëri prej tyre mund të jetë edhe Rashica, i cili megjithatë e sheh veten më me kënaqësi në Bundesligë.

Të ngjashme