Reagojnë ashpër Milani e Roma ndaj kampanjës së Serisë A kundër racizmit

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Dy klubet gjigante të Serisë A, Milani dhe Roma, e kanë kundërshtuar fuqishëm përdorimin e pikturave të majmunëve për fushatën kundër racizmit nga ana e Serisë A, duke u shprehur të befasuar nga i gjithi ky skandal.

Iniciativa e fundit e Serisë A për ta luftuar racizmin nga futbolli italian është pritur me kritika të shumta pasi që liga zgjodhi t’i ekspozojë përherë tri piktura të majmunëve në zyrat e veta.

Artisti, Simone Fugazzotto, është i njohur për përdorimin metaforik të majmunëve si qenie njerëzore në pikturat e tij dhe ia ka sqaruar se qëllimi i tij ishte t’ia kthente këtë koncept racistëve, duke e theksuar se të gjithë njerëzit kanë prejardhje nga majmunët.

Vendimi i ligës për t’i vendosur këto piktura në zyrën e vet në mënyrë të përhershme nuk është pritur mirë dhe është cilësuar racist, ndërsa më parë lojtarë si Romelu Lukaku dhe Kalidou Koulibaly ishin bërë cak i thirrjeve si majmunë nga tifozë racistë.

“Arti mund të jetë i fuqishëm, por ne e kundërshtojmë fuqishëm përdorimin e majmunëve si imazhe për luftën kundër racizmit dhe jemi të befasuar nga mungesa totale e konsultimit”, ka shkruar faqja zyrtare e Milanit.

“Roma është shumë e befasuar ta shohë atë që duket si kampanjë kundër racizmit në Serie A, që përfshin majmunë të pikturuar. Ne e kuptojmë se liga dëshiron ta luftojë racizmin, por ne nuk besojmë se kjo është mënyra e duhur për ta bërë këtë gjë”, ka shkruar faqja zyrtare e Romës.

Si rezultat, shumë tifozë kanë mbetur të tronditur nga këto piktura dhe e kanë konsideruar vetë kampanjën kundër racizmit raciste, për shkak të përdorimit të majmunëve. Por, menaxheri i përgjithshëm i Serisë A, Luigi de Siervo, tentoi ta sqarojë atë që kishte ndodhur.

“Pikturat e Simones i reflektojnë plotësisht vlerat e ndershmërisë dhe tolerancës, kështu që ato do të mbesin në zyrat tona. Ne po mbajnë qëndrimin tonë të fortë kundër çdo lloj forme të paragjykimit”, ka thënë De Siervo për pikturat e tre majmunëve, prej të cilëve njëri është perëndimor, njëri aziatik dhe njëri i zi, transmeton express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme