Reagon Gashi: Me heqjen e flamurit, Spanja deshi ta prishë suksesin e sportistëve kosovarë

Prishtinë | 02 Kor 2018 | 12:43 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri Sportit, Kujtim Gashi, e ka quajtur veprim jo të mirë dhe ndërhyrje politike të Spanjës, heqjen e flamurit të Kosovës nga faqja zyrtare e Lojrave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018” që po mbahen në shtetin spanjoll. Tani për tani Kosova në sajt është e paraqitur me inicialet “KOS”.

Gashi në një prononcim për Ekonomia Online, ka reaguar për herë të parë lidhur me këtë veprim, i cili sipas tij, ka ardhur si pasojë e presionit të shtetit të Spanjës.

“Është një veprim jo i mirë i shtetit spanjoll sepse sporti nuk njeh kufi e as politikë. Nëse ka pasur kërkesë nga Qeveria, kjo tregon që në Spanjë ka ndërhyrje politike në aktivitete sportive dhe është për keqardhje. Me gjasë ditën e fundit ka pasur një presion politik atje nga shteti i Spanjës për të hequr flamurin nga ekranet”.

“Nga informatat që kam nga anëtarët e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), bëhet fjalë për ditën e fundit sipas këtij presioni që ka pasur nga Qeveria e Spanjës. Ajo që është me rëndësi Kosova ka marrë pjesë si shtet, me të gjitha simbolet e veta dhe ndoshta në momentet e fundit ka ndodhur diçka brenda Komitetit Olimpik të Spanjës dhe atij botëror”.

Në fillim flamuri i Kosovës ka qenë prezent në faqen ku përfshihen ekipet pjesëmarrëse, por ai është larguar një ditë pasi xhudistet kosovare Nora Gjakova e Distria Krasniqi kishin fituar medaljet e arta.

Me këtë veprim, Gashi tha thënë se Spanja ka dashur që të prishë rezultatet e arritura nga sportistët kosovarë, të cilët u shpreh se e kanë impresionuar me paraqitjet e tyre.

“Përndryshe, jam jashtëzakonisht i impresionuar me atë se si sportistët dhe shteti ynë  është paraqitur në Spanjë me të gjitha simbolet dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ata kanë dashur ta prishin gjithë atë aktivitet të madh dhe gjithë ato rezultate që kanë sjellur sportistët tanë”.

Gashi, i cili ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në këto lojëra, ka theksuar se Kosova është trajtuar si shtet dhe është paraqitur me të gjitha simbolet e saj, derisa kur janë fituar medaljet është intonuar edhe himni shtetëror. Sipas tij, Komiteti dhe sportistët janë trajtuar jashtëzakonisht mirë.

“Por, ajo ndoshtja një incident i vogël që ka mundur të ndodhë me heqjen e flamurit nga ekranet ditën e fundit, është një gjest jo i mirë dhe një ndërhyrje politike e shtetit të Spanjës në zhvillimin e sportit”.

Meqë Spanja vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës, Gashi ka deklaruar se nuk kanë komunikim zyrtar me autoritetet atje për të kuptuar arsyen e heqjes së flamurit, raporton EO.

Por, ai ka shtuar se KOK-u ka kontaktuar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë të Spanjës, dhe sipas tij së shpejti pritet të vijnë informacione rreth këtij veprimi.

“Spanja nuk e njeh Kosovën dhe komunikimi ynë nuk është zyrtar me ta dhe nuk kemi marrëdhënie diplomatike. Kurse sqarimet tjera ndodhin përmes KOK-ut, ata kanë pasur kontakte me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë të Spanjës dhe besoj që do ta presim shumë shpejtë edhe informatat e fundit se pse ka ndodhur kjo. Për periudhën sa kam qenë atje dhe në momentin kur janë fituar medalje, Kosova është trajtuar si shtet, me flamur, himn dhe me të gjitha simbolet”.

Të ngjashme