Reagon Ronaldo, pas eliminimit nga Euro 2020

Prishtinë | 28 Qer 2021 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Cristiano Ronaldo është zotuar se Portugalia do të rikthehet më e fuqishme së kurrë më parë, pas eliminimit të hershëm dhe dëshpërues nga Euro 2020 në përpjekje për ta mbrojtur kurorën evropiane.

Portugalia u eliminua nga Euro 2020 në 1/8 e finales pas disfatës 1:0 kundër Belgjikës të dielën mbrëma në Bukuresht.

Thorgan Hazard e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit për Belgjikën në Estadio de La Cartuja, për ta dërguar skuadrën e Roberto Martinezit në çerekfinale, ku do të përballet me Italinë të premten në Munih.

Portugalia dështoi në përpjekjet e saj për ta mbrojtur trofeun evropian, të fituar më 2016, dhe u largua nga Euro 2020 me vetëm një fitore, dy humbje dhe një barazim.

Ronaldo, i cili i shënoi pesë gola, më së shumti deri tani në këtë turne, ishte në kërkim të një rekordi personal, përveç lavdisë me atdheun. Ai synonte ta thyente rekordin e legjendës së Iranit, Daei, për më së shumti gola ndërkombëtar, pasi e kishte barazuar rekordin e tij prej 109 golave në ndeshjen paraprake kundër Francës.

Në një reagim në Instagram një ditë pas eliminimit, Ronaldo e uroi Belgjikën për fitoren dhe i falënderoi tifozët për mbështetjen.

Ai u shpreh krenar me luftën e bashkëlojtarëve të tij për të mbetur në Euro 2020, duke thënë: “Ne nuk e morëm rezultatin që e dëshiruam dhe u larguam nga gara më herët seç deshëm. Por ne jemi krenar të rrugëtimit tonë. Ne dhamë gjithçka për ta rifituar titullin e Kampionatit Evropian dhe ky grup dëshmoi se ende mund t’i ofrojë shumë kënaqësi portugezëve.”

“Tifozët tanë e përkrahën ekipin nga fillimi deri në fund pareshtur. Ne vrapuam dhe luftuam për ta, në mënyrë që t’ua shpaguanim besimin që kishin tek ne. Nuk ishte e mundur të arrinim aty ku të gjithë ne dëshironim, por ne ju falënderojmë sinqerisht dhe pafundësisht.”

Si shtoi: “Urime Belgjikës dhe fat të mbarë të gjitha ekipeve që kanë mbetur në garë. Ne do të rikthehemi më të fuqishëm. Forca Portugali!”

Të ngjashme