Real Madridi, në bisedime me lojtarët për uljen e pagave

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Real Madridi  i ka filluar bisedimet me lojtarët e vet për gjetjen e një zgjidhjeve për uljen e pagave, në mënyrë që klubi t’i përballojë dëmet financiare të shkaktuar nga kriza e koronavirusit. AS raporton se Real Madridi ua ka dhënë dy opsione lojtarëve.

Përderisa futbolli elitar evropian është paralizuar shkaku i Covid-19, ka nisur një debat lidhur me pagat e lojtarëve. Përderisa nuk ka ndeshje, shumë njerëz kanë argumentuar se pagat e tyre të larta duhet të ulen, në mënyrë që klubet të shpëtojnë para dhe të mundë t’i paguajnë punëtorët e stafit josportiv, transmeton Gazeta Express.

Përderisa rivalët e Real Madridit, Barcelona dhe Atletico Madridi, e kanë konfirmuar se lojtarët e tyre kanë pranuar t’i ulin pagat për 70 për qind, Los Blancos nuk e kanë bërë të ditur një plan të ngjashëm ende.

Por, sipas AS dhe Cadena Ser, Real Madridi tashmë i ka nisur bisedimet me lojtarët dhe ua ka dhënë atyre dy opsione: ulje page për 12 për qind nëse sezoni rinis pas krizës së koronavirusit dhe ulje page për 20 për qind nëse sezoni anulohet.

Megjithatë Real Madridi s’do ta ketë të lehtë arritjen e një marrëveshje pasi që mesfushori Toni Kroos ka dalur tashmë kundër kësaj iniciative, duke thënë se lojtarët mund të ndihmojnë më shumë duke dhuruar para në kauza të ndryshme sesa të shkojnë ato para te klubet.

“Ulja e pagave bën që një donacion të çohet kot, apo të çohet në klub. Duhet të ketë një opsion më të mirë pë të gjithë. Unë mendoj se është më mirë ta marrësh pagën e plotë dhe pastaj të bësh diçka me të”, ka thënë Kroos.

“Nuk mendoj se është e nevojshme të ulen pagat. Gjë tjetër është se çfarë do të bëj unë me paratë që i marr. Ne duhet të gjithë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar aty ku ka nevojë për ndihmë. Dhe ka shumë vende ku ka nevojë për ndihmë tani”.

Të njëjtin qëndrim me Kroosin e kanë mbajtur futbollistët e Premierligës, të cilët përmes një deklaratë thanë se ulja e pagave e dëmton qeverinë britanike shkaku i taksave dhe se lojtarët duhet të merren vesh për të ndihmuar duke i dhuruar pagat e jo duke u mbetur pagat e tyre në klube. 

Të ngjashme