Real San Andres: klubi që u zhvendos 1.000 km larg shtëpisë

Prishtinë | 05 Pri 2019 | 10:14 | Nga Ekonomia Online

Prej të gjitha indinjatave që mund të shkaktojë një klub futbolli, zhvendosja konsiderohet si më e diskutueshmja. Çrrënjosja e një klubi nga shtëpia e tij historike dhe largimi nga baza e tifozëve, shihet si një mëkat i madh në botën e sportit.

Edhe nëse klubi lëviz disa kilometra, nga një pjesë e qytetit në pjesën tjetër, mund të sjellë reagime të ashpra. Por çfarë ndodh kur një ekip futbolli lëviz për njëmijë kilometra larg shtëpisë?

Real Santander, një ekip kolumbian që po ka vështirësi në kategorinë e dytë, u gjend përballë kësaj perspektive në fund të sezonit 2018, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.

Me bazë në Floridablanca në verilindje të Kolumbisë, ekzistenca e klubit ishte vënë në rrezik kur Qeveria lokale e zhytur në krizë financiare zvogëloi financimin për ekipin. Pasi nuk kishte zgjidhje, klubi mori vendim për t’u zhvendosur diku tjetër, duke pranuar një ofertë tunduese nga ishulli i Karaibeve, San Andres.

Ishulli më i madh që është pjesë e një arkipelagu të izoluar, San Andres, është më pranë Nikaraguas sesa shtetit që i përket -Kolumbisë. I pushtuar disa herë dhe në kohë të ndryshme nga britanikët, holandezët e spanjollët, ishulli është i dëmtuar nga skllavëria, pirateria dhe mosmarrëveshjet rreth sovranitetit.

Sporti ka luajtur një rol të vogël në këtë histori të trazuar, ndonëse 75 mijë banorët e këtij ishulli historikisht më shumë kanë favorizuar garat e kuajve dhe luftën e gjelave sesa futbollin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme