Reali fiton “El Classico” (dhe me ndihmën e gjyqtarit), tash kryeson La Ligan

Prishtinë | 10 Pri 2021 | 23:01 | Nga Ekonomia Online


Real Madridi ka triumfuar në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni, duke mposhtur Barcelonën me rezultat 2:1 në “Alfredo di Stefano”.

Skuadra e Zinedine Zidane nisi furishëm ndeshjen, duke rrezikuar disa herë në minutat e para. Pikërisht, në ato minuta edhe gjeti golin e parë, kur pas një krosimi në zonë, bukur u gjend Karim Benzema që realizoi gol të mrekullueshëm në minutën e 13-të.

Los Blancos vazhdoi me dominim të ndeshjes, dhe goli i dytë nuk u vonua. Kësaj radhe, Toni Kroos me një goditje fenomenale nga gjuajtja e lirë dyfishoi rezultatin në minutën e 28-të.

Pas pësimit të dy golave, Barcelona nisi të këndellej, por nuk arriti të shënonte në pjesën e parë.

Pjesa e dytë nisi mirë për skuadrën e Ronald Koeman, që gjeti golin në minutën e 60-të përmes mbrojtësit Oscar Mingueza.

Në vazhdim, Barça u përpoq të barazonte rezultatin, por ishte e pamundur falë organizimit të mirë defanziv të vendasve.

Në pjesën e parë dominoi Reali, kurse pjesa e dytë i takoi Barcelona.

Ndoshta rezultati i barabartë do të ishte më reali, por gjyqtari i takimit ia mohoi së paku një penallti Barçës në minutat e fundit të takimit.

Në fund mesfushori Casemiro u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Realin për disa minuta me një futbollist më pak në fushë.

Pas kësaj fitore, Reali ngjitet në vendin e parë me 66 pikë, aq sa ka edhe Atletico që ka një ndeshje më pak. Barcelona me 65 pikë mban vendin e tretë.

Të ngjashme