Reali humbjen e fundit në finale e ka pësuar nga Liverpooli

Prishtinë | 28 Maj 2022 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Dyzetenjë vjet pas përballjes së tyre në qytetin e bukur të Parisit, Liverpooli dhe Real Madridi do të takohen sërish në kryeqytetin francez.

Kësaj radhe, këto dy skuadra do të luajnë në finalen e Ligës së Kampionëve për sezonin 2021/22, shkruan Gazeta Express.

Skuadra angleze dhe ajo spanjolle ishin takuar në finale të kësaj gare edhe më 27 maj të vitit 1981. Në atë kohë gara quhej “Kupa Evropiane”.

Edhe finalja e atij viti ishte luajtur në Paris, por në stadiumin “Parc des Princes”.

Ajo ndeshje ishte fituar 1:0 nga “Të Kuqtë”, falë një goli të shënuar nga ish-mbrojtësi anglez, Alan Kennedy, në minutën e 82-të.

Për Real Madridin ishte hera e tretë që pësonte humbje në finale, por e fundit që nga ajo kohë.

Kurse, për Liverpoolin ishte hera e tretë që e fitonte titullin e kampionit evropian.

Formacionet nga ajo ndeshje mund t’i shikoni në fotografinë e mëposhtme, teksa video-përmbledhjen duke klikuar KËTU.

Mbetet të shihet sonte se cili do të jetë rezultati nga përballja finale e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.

Finalja mes Liverpoolit dhe Real Madridit do të zhvillohet nga ora 21:00 në “Stade de France”. 

Të ngjashme