Referja e futbollit po ndihmon të merren vendimet e duhura në luftën kundër Coronavirusit

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Katja Koroleva ka përjetuar më tepër triumfe dhe tragjedi në 11 muajt e fundit sesa që shumica e njerëzve do të përjetojnë në gjithë jetën. Si refere e futbollit, ajo ka referuar pesë ndeshje në Botërorin e futbollit të femrave në Francë vitin e kaluar, shpërblimi më i madh nga loja që e ka konsumuar gjatë atë.

Si ndihmësmjeke, ajo ka kaluar tre muajt e fundit duke punuar ndërresa 12-orëshe në dhomë emergjence në spital, duke luftuar COVID-19.

Ka dallime mes vendimeve që merr Koroleva në fushë futbolli dhe në spital. Ndonjë vendim i gabuar në ndeshje futbolli mund t’i dhurojë penallti ndonjë skuadre. Por, një vendim i gabuar në dhomën e emergjencës ka pasoja të rënda, të cilat ajo preferon të mos i mendojë.

“Sporti është një pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Por, përfundimisht, jeta është më e rëndësishme. Nuk ka asnjë sport më të rëndësishëm sesa jeta”, ka thënë Koroleva për LA Times.

Pasioni i Korolevës dhe profesioni i saj nuk janë të lidhura, por ka ngjashmëri.

“Shumë nga shkathtësitë në referim, si qetësia nën presion, menaxhimi i stresit, marrja e vendimeve në situata të vështira, këtu shërbejnë mirë për dikë që është në vijën e frontit të betejës me pandeminë COVID-19. Tash këto shkathtësi kanë qenë shumë të rëndësishme”, thotë Kari Seitz, që është në komisionin e referimit në FIFA.

Koroleva shton: “Asnjëra fushë nuk është bardhezi. Ka rrugë që mund të marrim bazuar në instinktin tonë që kryesisht bazohet në njohurinë e kaluar dhe në kuptimin e situatës”.

Koroleva ka parë zhvillimin e pandemisë nga brenda dhomës së emergjencës në Qendrën Rajonale Mjekësore në San Jose. Gjatë ditëve të hershme të përhapjes së shpejtë të virusit në Santa Clara County, orët ishin të gjata dhe ishte ritëm shumë i lodhshëm, si në aspektin fizik ashtu edhe emocional.

“Ishte kohë shumë e vështirë”, ka thënë Koroleva, që po kujdesej deri në dhjetë pacientë brenda ditës. “Ne hapëm një repart ndaras për pacientët me COVID dhe kishte vazhdimisht ndryshime të kërkesave dhe udhëzimeve nga Qendra Për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve”.

Ishte një punë konstante ekipore, një gjë tjetër që Koroleva e ka mësuar në fushën e futbollit. Në pesë detyrat e saj të para si refere në Kupën e Botës, ajo ishte refere e katërt – një punë kryesisht anonime që, nëse bëhet në mënyrë korrekte, largon presionin nga referja kryesore dhe e bën gjithë ekipin e referimit të duket mirë.

Ka ngjashmëri me punën në dhomën e emergjencës.

“Këto kualitete e shquajnë atë”, thotë Felisha Mariscal, që ka referuar ndeshjen e saj të parë ndërkombëtare përkrah Korolevas dhe ka punuar me të edhe në Botërorin e vitit të kaluar. “Ajo lidhet shumë lehtësisht me njerëzit”.

Koroleva, 33-vjeçare, është lindur në Rusi, por prindërit e saj u shpërngulën fillimisht në Danimarkë, e më pas në Iowa të SHBA-së, ku ajo është rritur.

Koroleva ka përfunduar shkallën master në shkencat mjekësore në Universitetin Salus në afërsi të Philadelphias, në vitin 2011, dhe ka bërë debutimin e saj profesional si refere dy vjet më vonë.

Ajo ka punuar në një numër ngjarjesh të mëdha, përfshirë finale të ligës së femrave në SHBA, Botërorin e femrave në U-17 dhe në turneun kualifikues olimpik për femra në CONCACAF këtë vit.

Por, ajo nuk ka qenë në fushë të gjelbër që nga Kupa SheBelieves në Teksas dy muaj më parë.

Kur ajo u kthye në spital atë fundjavë, pa dhomën e emergjencës të ngarkuar me raste me COVID-19 dhe po ashtu pacientë që kishin gripin e zakonshëm, por frikësoheshin se ishin infektuar nga koronavirusi i ri. Puna ka rënë në mënyrë dramatike, thotë ajo, pasi guvernatori Gavin Newsom urdhëroi kalifornianët të izolohen në shtëpi dhe t’u përmbahen rregullave të distancës sociale.

Koroleva e kupton dëshirën për t’iu kthyer normalitetit; mbyllja e ka lënduar atë po ashtu, duke e pezulluar stinorin në futboll. Por, ajo frikësohet se punëtorët shëndetësorë do ta paguajnë çdo padurim.

“Është frustruese të shohim se nuk jemi të bashkuar si shoqëri për të luftuar për të mirën më të madhe kundër pandemisë që po merr aq shumë jetë. Është fatkeqësi që këta protestues po rrezikojnë jetët e njerëzve në vijën e frontit, përfshirë të policëve, zyrtarëve qeveritarë dhe madje edhe jetën e tyre”, thotë Koroleva.

Por, ajo thotë se merr motiv nga përkrahja që kanë marrë punëtorët shëndetësorë në forma të shënimeve falënderuese, nga mbulimi medial e po ashtu nga dhurimi i shujtave nga grupet e komunitetit.

“Është ndjenjë e pabesueshme”, thotë ajo. “Në departamentin e emergjencës ne sigurisht se shohim pacientë gjatë gjithë kohës që luftojnë për jetën. Nuk është një perspektivë e re për ne. Por, thjesht është një armik tjetër me të cilin po luftojmë, armik që është i padukshëm dhe po zhvillohet shpejt dhe në mënyrë të frikshme”.

Koroleva po mundohet të përqendrohet në të ardhmen.

“Si profesioniste e shëndetësisë, është me rëndësi të kesh optimizëm për pacientët tuaj dhe për pacientin tjetër që shohim, pasi nuk është vetëm një pacient, por ka pacientë në mënyrë të vazhdueshme. Kështu që, për shëndetin tonë mendor, për shëndetin mendor të të tjerëve, është me rëndësi të kemi optimizëm”, thotë referja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme