Reja flet para ndeshjes me Poloninë: Duhet të luajmë të qetë për të arritur qëllimin

Prishtinë | 11 Tet 2021 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria do ta luaj ndeshjen më të rëndësishme në histori të saj sa i përket kualifikimeve për Kampionate Botërore.

Kuqezinjtë kurrë nuk kanë qenë më afër kualifikimit në një botëror dhe këtë mund ta arrijnë nëse marrin fitore ndaj Polonisë.

Edhe pse janë tri ndeshje deri në fund të kësaj kampanje, një fitore eventuale ndaj Polonisë do të bënte që Shqipëria me 90 për qind të siguronte vendin e dytë në renditje.

Për këtë sfidë ka folur edhe trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja në një konferencë për shtyp.

Kur u hodh shorti ishit pesimistë. A është rritur besimi juaj te skuadra?
Në fillim të shortit nuk isha shumë optimist, pasi kundërshtarët janë shumë të fortë, megjithatë jemi rritur shumë, pasi kemi punuar shumë gjatë kësaj kohe. Ideja ka qenë që ne të imponojmë lojën tonë, duke nisur mbrojtjen me sulmuesit dhe duke bërë presing. Mendoj se deri diku ai kemi dalë. Jemi rritur shumë dhe ja ku jemi, në një situatë mjaft interesante. Tani jemi gati të përballemi me çdo lloj kundërshtari deri në fund dhe të luajmë shanset tona. Për këtë dua t’u bëj komplimente të gjithë lojtarëve, që janë vënë në dispozicion dhe kanë punuar shumë për t’u rritur e përmirësuar. Nuk e mendoja që mund të vinim deri këtu, por kemi punuar mirë dhe tani mund të them që mund të shkojmë shumë më larg.

A e imagjinoni Shqipërinë në Kupën e Botës?
Frika për të mos ia dalë është problemi me të cilin përballemi dhe që na ndalon të ëndërrojmë. Luajmë në shtëpi dhe duhet të jemi sa më të qetë, pasi kjo është rruga e vetme për të synuar fitoren. Duhet të tregojmë personalitet në ndeshje të tilla, por edhe fati është pjesë e rëndësishme dhe në Poloni ne nuk e patëm, pasi një episod penalltie na dëmtoi jo pak në atë transfertë. Duhet të luajmë të qetë dhe të bëjmë sa më pak gabime, për të arritur rezultatin që duam.

A do të shohim të njëjtën Shqipëri si në Poloni, ku mbajtëm topin dhe bëmë lojën?
Ne kemi një mënyrë loje që nuk ndryshon dhe e kemi përdorur thuajse në të gjithë ndeshjet e fundit. Duhet të kemi kontrollin e lojës, për të synuar fitoren, megjithatë varet edhe nga karakteristikat e kundërshtarit. Për mua është e rëndësishme që të mos rrimë në mbrojtje, por të sulmojmë dhe të provojmë të marrim kontrollin e lojës.

A mund të ndikojë goli i Brojës, për t’i dhënë më shumë hapësira në fushë?
Nuk e kam vendosur ende formacionin, por mund të luajë që nga minuta e parë Broja dhe nuk është ndonjë çudi. Unë e kam aktivizuar edhe nga minuta e parë si ndaj Kazakistanit apo në San Marino, por nuk ka pasur të njëjtin rendiment si në ndeshjet që ka ardhur nga pankina. Unë kam shfrytëzuar faktin që në minutat e fundit kundërshtarët janë disi më të lodhur dhe ai me karakteristikat që ka mund t’i vërë në vështirësi dhe mbi të gjitha të shënojë gola, pasi e ka këtë aftësi. Nëse do ta dija me siguri që do të shënonte, do ta hidhja në fushë edhe në tre minutat e fundit.

Keni thënë se punoni për Euro 2024-ën, pasi nuk keni shanse për Botërorin. Ishte kjo një bindje juaja, apo një mënyrë për të larguar presionin?
U kemi dhënë një ëndërr shqiptarëve dhe është shumë e bukur, ndaj duhet të besojmë. Nuk është asgjë rastësore, pasi kemi merituar këtë arritje dhe do të luajmë deri në fund për ta bërë realitet këtë ëndërr. Nesër kemi mungesa të rëndësishme, por unë nuk qahem kurrë, pasi kemi krijuar një grup shumë të mirë, ku të gjithë japin kontributin e tyre dhe na zgjidhin situatat herë pas here. Jam i sigurt që do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë dhe do të tregojmë se jemi rritur shumë. Kemi luajtur shumë mirë ndaj disa skuadrave të mëdha, por ajo nesër ka një rëndësi shumë të madhe, pasi ka mundësi të na lejojë të shkojmë në Play Off dhe do të provojmë gjithçka për gjithçka.

Unë gjithmonë vendos në momentin e fundit, pasi më duhet të vlerësoj mirë gjendjen e të gjithë futbollistëve. Kemi një stërvitje sot pasdite, ku do të shohim situatën e futbollistëve, pasi nuk është e lehtë të luash çdo tre ditë dhe në fund do të hedh në fushë ata që duken më mirë fizikisht dhe mendërisht, pasi edhe aspekti karakterial është shumë i rëndësishëm në ndeshje të tilla. Shumë gjëra varen edhe nga Polonia dhe kjo është pjesa ime, që ta furnizoj ekipin me informacione dhe ta bëj të luajë sa më mirë.

A i keni marrë masat për Lewandowskin?
Ai nuk markohet, pasi është një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim. Mënyra e vetme për t’i ulur rrezikshmërinë, është ta bësh të furnizohet sa më pak, pra t’i ndërpresësh rrugët e pasimit, pasi vetëm kur nuk ka top në këmbë, nuk është kërcënues. E njoh shumë mirë trajnerin dhe e di që ata do të luajnë në sulm e me agresivitet. Edhe për ata ndeshja ka shumë rëndësi, ndaj besoj se do të jetë një takim i nivelit shumë të lartë.

/Telegrafi

Të ngjashme