Reja grumbullimin e Kombëtares shqiptare e nis në Gjermani

Prishtinë | 10 Maj 2019 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria do të luajë në transfertë përballjen e radhës, teksa do të sfidojë Islandën në ndeshjen e tretë të grupit. Ky do të jetë edhe debutimi i trajnerit Edi Reja në krye të kuqezinjve. Për këtë përballje, grumbullimi që e paraprin është vendosur që kuqezinjtë ta kryejnë në arrati dhe jo në Shqipëri, shkruan Panorama.

“Panorama Sport”, nga burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ka mësuar se plani i kuqezinjve është që të grumbullohen në Frankfurt të Gjermanisë. E gjithë kjo është bërë për disa arsye, që janë konsideruar në favor të vetë futbollistëve apo edhe të përgatitjeve që ato do të kryejnë në pak ditë kohë që kanë për të qëndruar me njëri-tjetrin. Arsyeja e parë e zgjedhjes ka qenë se në Gjermani ka një mot me temperatura të pranueshme, deri-diku të freskët dhe të përshtatshëm për t’u stërvitur. Gjithashtu, moti mund të jetë deri-diku edhe i përafërt me atë në Islandë, ku edhe do të luhet ndeshja e radhës.

Një tjetër shkak, edhe më kryesori pse Shqipëria do të grumbullohet jashtë vendit, është distanca e gjatë që u duhet futbollistëve për të udhëtuar nga shtetet ku qëndrojnë dhe luajnë me destinacionin final, Islandën. Me një vështrim të thjeshtë, Shqipëria dhe Islanda janë larg mes tyre në distancë ajrore rreth 2300 milje.

Në bazë të një përllogaritjeje të thjeshtë, nevojiten të paktën katër orë udhëtim nga Tirana drejt Islandës. E si të mos mjaftonte kjo, duhet shtuar edhe distanca që ata do të bëjnë nga vendet e tyre për të ardhur në grumbullim. Në këto kushte është përzgjedhur që grumbullimi të bëhet në Gjermani dhe distanca nga Islanda drejt Shqipërisë të bëhet vetëm në kthim pas transfertës së tetë qershorit. Për Rejan nisja e aventurës me kuqezinjtë bëhet në arrati, si për grumbullimin e parë edhe për vetë ndeshjen e parë në krye të kuqezinjve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme