Rekord futbollistësh shqiptarë në Serie A

Prishtinë | 10 Sht 2020 | 08:46 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, është pranë kalimit te skuadra e Lazios në Serie A të Italisë. Transferimi i Muriqit te Lazio do ta çonte në 12 numrin e futbollistëve shqiptarë në një prej kampionateve më të forta në Evropë – Serie A për edicionin e ri që nis më 19 shtator.

Në elitën e futbollit italian janë edhe tre lojtarë tjerë të përfaqësueses së Kosovës: Samir Ujkani dhe Mërgim Vojvoda te Torino, si dhe Amir Rrahmani në Napoli, derisa pjesë e futbollit elitar të Italisë janë edhe shqiptarët Thomas Strakosha (Lazio), Elseid Hysaj (Napoli), Marash Kumbulla (Verona), Berat Gjimshiti (Atalanta), Kastriot Dermaku (Parma), Valon Behrami (Genoa), Përparim Hetemaj (Benevento) dhe Giacomo Vrioni (Juventus). Të premten është raportuar se në Spezia do të zyrtarizohet edhe qendërmbrojtësi Ardian Ismajli. Me Ismajlin e Muriqin numri i shqiptarëve në Serie A për sezonin 2020/21, do të jetë 13 – rekord. Për Muriqin të mërkurën është raportuar se të enjten (sot) pritet të prezantohet me fanellën e skuadrës nga Roma. Madje, edhe vetë Muriqi ka konfirmuar se dëshiron të largohet nga Fenerbahçe për të kaluar te Lazio.

Muriqi karrierën e nisi në Kosovë te Liria e Prizrenit. Nga Prizreni u largua në vitin 2013 për të kaluar te Teuta e Durrësit. Karrierë në futbollin e Shqipërisë ka bërë edhe te Besa e Kavajës, derisa në vitin 2014 u transferua te Giresunspori në Turqi. Në Superligën e Turqisë bëri karrierë të suksesshme e dhe me Gençlerbirligin dhe Rizesporin derisa te gjiganti turk Fernerbahçe u transferua në verën e vitit të kaluar. Serie A vlerësohet si një prej pesë ligave më të forta në Evropë dhe edicioni i ri do të ketë për herë të parë një numër kaq të madh futbollistësh shqiptarë. E ky numër mund të ngrihet deri në fund të këtij afati kalimtar nëse Etrit Berisha dhe Meritan Shabani pritet të arrijnë marrëveshje me klubet që po i kërkojnë. Shabanin po e kërkon Sampdoria derisa për Berishën ka shprehur interesim Atalanta dhe Spezia. Shabani është pjesë e ekipit anglez Wolverhampton. Megjithatë, mesfushori Behrami mbetet lojtari me përvojën më të madhe në këtë kampionat. Ai para Genoas, ekip që iu bashkua në janar të këtij viti, karrierë ka bërë edhe te Udinese, Napoli, Fiorentina e Lazio. Me fanellën e Napolit, Behrami e ka fituar Kupën e Italisë (2012-13).

Kalimi i Celinës te Dioni çon në nëntë numrin e “dardanëve” në topligat evropiane

Image

Italia nuk është kampionati i vetëm që kanë zënë vend futbollistët e përfaqësueses së Kosovës. Lëvizje para është cilësuar edhe transferimi i futbollistit tjetër të Kosovës, Bersant Celinës. Celina të mërkurën është zyrtarizuar te Dijoni që bën gara në Ligue 1 të Francës që pagoi katër milionë euro dëmshpërblim për transferimin e tij nga Swansea. Ish-futbollisti i Manchester Cityt ka firmosur kontratë katërvjeçare me Dijonin.

“Me siguri se është një hap para në karrierën e Bersantit, pasi do të luajë në një prej pesë ligave kryesore të botës. Tash varet nga paraqitja e tij se ku do ta dërgojë rruga pas Dijonit. Besoj se në Dijon do të zhvillohet edhe më shumë si lojtar”, ka thënë babai i Berasantit, Edvar Celina për KOHËN të mërkurën.

Pak javë para Celinës, në Ligue 1 u transferua edhe një reprezentues tjetër i Kosovës. Mesfushori Valon Berisha u largua nga Lazio për t’u transferuar te Reimsi, ku u bashkua me Arbër Zenelin. Njëherësh, këta janë futbollistët e vetëm shqiptarë që do të luajnë edicionin e ri në elitën e futbollit francez. Në Premier League janë: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Shkodran Mustafi, Ezgjan Alioski e Arijanet Muriq. Ky i fundit edhe pjesë e Cityt por pritet të huazohet diku tjetër për të fituar përvojë gjatë këtij afati kalimtar. Lëvizje gjatë këtij afatit kalimtar në ndonjë klub të madh në Evropë mund të bëjë edhe Milot Rashica. Rashica aktualisht është pjesë e skuadrës elitare në Bundesligë, Werder Bremenit. Edhe Rashica si Rrahmani, Muriqi, Ismajli e kanë nisur karrierën në futbollin kosovar. Lëvizjet e futbollistëve të Kosovës i ka cilësuar goxha të mira edhe ndihmëstrajneri i Bernard Challandesit, Muharrem Sahiti.

“Janë lëvizje shumë të mira dhe të rëndësishme për përfaqësuesen. Këta futbollistë e kanë dëshmuar veten si në klube ashtu edhe te përfaqësuesja. Transferimeve të tyre do t’ia shoh hairin edhe Kosova. Uroj që të gjithë të kenë minutazhë në klubet e tyre. Do të jetë e rëndësishme edhe për Kosovën paraqitja e tyre. Është pozitive që tashmë do të ketë edhe mbyllje të afatit kalimtar dhe lojtarët do ta kenë fokusin vetëm në klubet e tyre dhe për ndeshjen e tetorit kundër Maqedonisë së Veriut. Presim të ketë lëvizje tash edhe për futbollistët e tjerë nëpër klube sigurisht më të mëdha se që luajnë”, ka thënë Sahiti.

Të ngjashme