Remzi Ejupi: Kandidatët për kryetar të FFK-së po kërkojnë nënshkrime te FC Prishtina

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ka thënë se klubi i tij nuk do pranojë zgjedhjet për postin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, në rast se do jetë vetëm një kandidatë, transmeton Gazeta Metro.

Pasi Gjykata e Apelit kohë më parë e konfirmoi dënimin prej 9 muaj burg efektiv të Kryetarit aktual të FFK’së, Agim Ademit, atij ditë më parë i është kërkuar që më 18 qershor të paraqitet në qendrën e paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burg.

Duke parë situatën, Federata e Futbollit e Kosovës do shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Edhe pse ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar rreth zgjedhjeve, disa persona tashmë kanë filluar me mbledhjen e nënshkrimeve.

Këtë e ka konfirmuar edhe Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, por ai nuk pranoi që të zbuloi emrat e atyre që kanë kërkuar nënshkrime te klubi kryeqytetas.

“Sigurisht se na kanë kërkuar nënshkrime, por ne nuk mund t’i japin askujt nënshkrime pa u shpallur kandidaturat. Është mirë që edhe klubet tjera të veprojnë njësoj, në mënyrë që të mos bllokohen nënshkrimet pa u shpallur kandidaturat dhe pa u zbuluar programet e kandidatëve edhe për opinionin” – ka thënë Ejupi për ‘Zërin’.

Tutje, Remzi Ejupi tha se FC Prishtina nuk i pranon zgjedhjet me vetëm një kandidat për kryetar dhe se kjo praktikë duhet ndryshuar.

“Natyrisht se duhet të ndryshojë ajo praktikë dhe ne si klub nuk do t’i pranojmë zgjedhjet nëse vendoset vetëm një kandidat për kryetar. Duhet që së paku të jenë katër kandidatë. Konsideroj se është momenti që të ndryshojë qasja ndaj futbollit kosovar. Kryetari duhet të zgjidhet në mënyrë demokratike. Unë me këtë rast apeloj të gjitha klubet që të mos japin nënshkrime para kohe. Si fillim duhet të shpallen kandidaturat dhe askush nuk duhet t’i frikësohet konkurrencës. Klubet dhe delegatët nuk duhet që të bien pre e presioneve. Kandidati i ardhshëm duhet të zgjidhet për katër vjet dhe duhet të ketë respektin e gjithëve” – ka deklaruar Ejupi.

Sekretari i përgjithshëm i FFK’së, Eroll Salihu, ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve, ani pse nuk ka shpallur zyrtarisht kandidaturën.

Të ngjashme