Rënia e madhe e lojtarit të famshëm Arda Turan

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 12:06 | Nga Ekonomia Online

E mbani në mend kur Arda Turan ishte një princ i ri i Turqisë në “Euro 2008”?

Atëbotë 21-vjeçar, ai marshonte në mesfushë, duke kaluar kundërshtarët me rrotullime dhe duke demonstruar gjuajtjen e fuqishme në golin e fitores të shënuar në minutën e fundit, që e eliminoi bashkënikoqiren e garës, Zvicrën, shkruan Daily Mail.

Ishte një turne, në të cilin Turqia arriti deri në gjysmëfinale, një arritje që duket edhe më impresive duke e marrë parasysh se Turqia arriti të kualifikohej vetëm edhe njëherë që nga atëherë, në Euro 2016 në Francë, ku u eliminua në fazën grupore, transmeton Koha Ditore.

Pas gjithë asaj, ishte befasuese që u deshën tre vjet për një nga fuqitë evropiane, si Atletico Madridi, që ta blinte atë nga Galatasaray.

Katër stinorë, një titull të La Ligas dhe një lëndim zemërthyes në finale të Ligës së Kampionëve më vonë dhe ai firmosi me Barcelonën për 35 milionë euro. Trajektorja e Turanit dukej se po shkonte lart në qiell. Mirëpo, nuk funksionoi në atë mënyrë.

Turani jo vetëm që ka rënë dukshëm në fushë të blertë, ku disa e konsiderojnë atë si një nga transferimet më të këqija të kohës moderne, por një moment i çmendurisë jashtë fushe do ta përndjekë atë përgjithmonë.

Pasi luajti 55 herë për Barcelonën në dy stinorët e parë – e gjithë kjo pasi u desh të priste disa muaj pasi Barcelona nuk kishte të drejtë të regjistronte lojtarë të rinj – ai u huazua tek Istanbul Basaksehir në vendlindje.

Fakti se ai firmosi kontratë huazimi për dy vjet e gjysmë, nënkuptoi se karriera e Turanit kishte arritur maksimumin në atë moment kur ishte prezantuar në “Camp Nou” dhe se po pritej rënia e tij.

Ai debutoi me skuadrën turke në janar të vitit 2018, por në maj të të njëjtit vit u përfshi në telashe serioze, pasi shtyu gjyqtarin anësor në barazimin 1:1 të Basaksehirit ndaj Sivassporit.

Dukej se presioni i një beteje të ngushtë për titull të Turqisë me Galatasarayn kishte ndikuar shumë në të, i cili humbi kokën dhe u suspendua fillimisht për 16 ndeshje nga Federata e Futbollit e Turqisë. Kjo më vonë, pas apelit, u reduktua në dhjetë, por prapë mbeti njollë serioze në reputacionin e tij.

Të ngjashme