Reprezentuesi kosovar u suspendua me dy vjet për rastin që Ramos u fal

Prishtinë | 29 Nën 2018 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

Bajram Jashanica dhe Sergio Ramos janë mbrojtës. Kanë edhe shumë gjëra të tjera të përbashkëta, por kanë edhe një gjë të madhe që i dallon – trajtimi që u bëjnë atyre organet e UEFA-s, pasi njëri luan për Skënderbeun e tjetri për Real Madridin, shkruan sot Koha Ditore.

Tjetër e përbashkët e tyre është se gjatë vitit 2017 morën substanca të ndaluara, dhe si pasojë reprezentuesi kosovar u suspendua me dy vjet nga UEFA, kurse Ramosit iu fsheh rasti pikërisht nga UEFA dhe organet anti-doping. Thjesht u fal për shkeljen. Për më tepër, Ramos edhe në prill të këtij viti shkeli protokollin e anti-dopingut, por as për këtë rast nuk u iniciua procedurë.

Vjet, Jashanica dhe Ramos morën substanca që lejohen nëse për to kërkohet autorizimi nga UEFA paraprakisht, ose nëse bëhet fjalë për raste emergjente, ky autorizim mund të kërkohet pas ndeshjeve. Dhe Jashanica e stafi mjekësor i Skënderbeut e kërkuan pas ndeshjes të Ligës së Evropës ndaj Young Boysit, zhvilluar më 28 shtator të vitit 2017, duke u bazuar në “rast emergjent”, por zyrtarët e UEFA-s dhe ata anti-doping nuk e pranuan këtë kërkesë, por hapën rast ndaj kosovarit. Në të njëjtën kohë, Ramos nuk kërkoi as para e as pas ndeshjes autorizimin nga UEFA, dhe ai sot vazhdon të luajë i qetë, kurse Jashanica po vuan suspendimin prej dy vjetëve.

Ky standard i dyfishtë i UEFA-s është përdorur të mërkurën gjerësisht edhe nga mediat spanjolle, sidomos ato që janë kundër Realit dhe pro Barcelonës, siç është rasti me gazetën “Mundo Deportivo”, për të sulmuar Ramosin.

“Jashanica, dy vjet dënim për rastin e ngjashëm të Ramosit”, ishte titulli i “Mundo Deportivos” të mërkurën. “UEFA vendosi të mbyllë rastin e Ramosit, që ndodhi pas finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2017”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme